Merr formë rruga e Krastës, lehtëson lëvizjen në Elbasan
Rruga “Gjergj Arianiti” në Elbasan, një investim i rëndësishëm që po merr formë dita-ditës, pritet të ndryshojë ndjeshëm qarkullimin dhe pamjen urbane të qytetit.
E njohur ndryshe edhe si “rruga e Krastës”, ky aks rrugor përveçse shërben si lidhje funksionale mes lagjeve, është edhe një rrugë panoramike që i shërben qytetarëve që frekuentojnë zonën e Krastës për sporte dhe rekreacion në natyrë.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga ky kantier, ndërsa vlerësoi se ky aks i rëndësishëm në Elbasan sjell më shumë lehtësi lëvizjeje dhe një pamje të re përgjatë Shkumbinit.
“Me trotuare moderne, ndriçim bashkëkohor dhe korsi biçikletash, kjo rrugë do të lidhë lagjen “Emin Matraxhiu” me Menglin e më tej me Korridorin VIII, duke sjellë më shumë lehtësi lëvizjeje dhe një pamje të re përgjatë Shkumbinit”, u shpreh kryeministri Rama.
Punimet për ndërtimin e rrugës “Gjergj Arianiti” po ecin me ritme të shpejta, duke hyrë në fazën e asfaltimit. Ky aks i ri, me gjatësi rreth 1.5 kilometra, do të lidhë lagjen “Emin Matraxhiu” me Menglin dhe më tej me Koridorin VIII, duke krijuar një alternativë të re dhe moderne lëvizjeje për banorët e zonës.
Rruga po ndërtohet plotësisht nga e para, duke përfshirë, trotuare të reja për këmbësorët, ndriçim modern, si dhe korsi të dedikuara për biçikleta, që do të rrisin sigurinë dhe cilësinë e jetesës urbane.
Përveç përmirësimit të infrastrukturës, projekti do të sjellë një pamje të re e tërheqëse përgjatë brigjeve të lumit Shkumbin, duke e kthyer zonën në një hapësirë më të gjelbër dhe më të aksesueshme.
Në përfundim të këtij projekti, si dhe të urës së Bushekut që është pjesë e Koridorit VIII, kjo zonë e Elbasanit pritet të kthehet në një pikë me potencial të lartë zhvillimi.
Në vijim, punimet do të shtrihen edhe në segmentin e rrugës “Behxhet Hyti”, nga ura e Lizës deri te ish-frigoriferi i Elbasanit, duke plotësuar kështu një nyje të rëndësishme lidhëse për qarkullimin urban dhe ndërqytetas.
Investimet në infrastrukturën e Elbasanit vazhdojnë, duke transformuar çdo ditë pamjen e qytetit dhe duke sjellë kushte më të mira jetese për komunitetin.
Fraksion.com

