AktualitetTë fundit

Liria ka emër! Mijëra shqiptarë në Tiranë, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

Protesta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen në Hagë nisi pasditen e sotme në sheshin “Skënderbej në Tiranë” me himnin kombëtar.

Mijëra qytetarë nga trojet shqipfolëse, nga diaspora nderuan sakrificat e ushtarëve dhe krerëve të UÇK-së, lufta e të cilëve solli lirinë dhe pavarësinë e Kosovës me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë.

Qytetarët me veshjen e UÇK-së, me bluza “Unë jam UÇK” dhe me simbole kombëtare mbushën plot sheshin ndërsa para tyre folën veteran dhe përfaqësues të tjerë.

“UÇK” “Liri për çlirimtarët” ishin disa nga thirrjet që ushtuan në shesh përballë bustit të heroit kombëtar Skënderbeut.

I pranishëm në protestën “Liria ka emër” në sheshin “Skënderbej” në Tiranë është edhe Endrit Thaçi, djali i ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Me flamujt kuqezi, flamuj të UÇK-së, këngë patriotike dhe bluza të stampuara “Liria ka emër”, qytetarët shprehen mjaft entuziastë për këtë protestë të organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Në protestë janë të pranishëm deputetë të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ndërkohë që deputetët e PD-së deklaruan më herët se nuk do të jenë pjesë.

I pranishëm është edhe kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ai i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka.

Ndërsa bëjnë thirrje për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së, protestuesit hodhën akuza ndaj Gjykatës Speciale se po i mban në paraburgim drejtuesit e UÇK-së me dëshmi të falsifikuara.

Në podiumin e ngritur në shesh folën disa nga organizatorët, kreu i shoqatës së veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati, ish-prefekti i Tiranës Ruzhdi Keçi ndërsa u kënduan këngë patriotike, Arif Vladi, Llesh Nikolla, Shkurte Fejza.

Ruzhdi Keçi ish-prefekt i Tiranës tha se Tirana ka qenë zemra e kombit që ka nderuar luftën e drejtë.

“Tirana në vite ka qenë djep i mikpritjes dhe i bashkimit kombëtar. Ky qytet i ka hapur zemrën çdo shqiptari që ka ardhur nga çdo trevë, nga veriu në jug, nga lindja në perëndim. Nga kjo tokë dolën bijtë që ju bashkuan UÇK-së që morën pushkën dhe u bashkuan në vijën e parë të frontit, për të luftuar për lirinë e Kosovës dhe për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Mes tyre është edhe Skerdilajd Llagami, biri i Tiranës që luftoi me nder në radhët e UÇK-së dhe në Maqedoni. Sot nuk mund të mos ngremë zërin për katër luftëtarët tanë që mbahen padrejtësisht në burgun e Hagës. Ata nuk janë kriminelë, por simbole të lirisë”, tha Keçi.

Protesta e sotme organizohet në Tiranë nga veteranët e UÇK-së, dhe është protesta e tretë që po organizohet gjatë këtij viti në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

Prej 3 prillit të vitit 2023, në Gjykatën Speciale në Hagë po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që të katërt i kanë mohuar.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com