AktualitetPolitikëTë fundit

Nesër protesta për UÇK në Tiranë, Balluku: Rruga e Kombit pa pagesë për 24 orë

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka njoftuar sot se ‘Rruga e Kombit’, do të jetë pa pagesë për 24 orë ditën e premte. Kjo vjen pasi nesër, 17 tetor, ora 17:00 në sheshin “Skënderbej”, në Tiranë do të zhvillohet mitingu për drejtësi ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët mbahen në paraburgimin e Hagës.

“Rruga e Kombit pa pagesë në datë 17 Tetor”, shkroi Balluku në rrjete sociale.
 “Liria ka emër – Drejtësi për çlirimtarët”, bashkohemi në Tiranë për drejtësi, dinjitet dhe të vërtetën e luftës çlirimtare të Kosovës”, theksoi ajo.

Protestë e ngjashme e organizuar nga veteranët e UÇK u zhvillua edhe në Hagë më 14 shtator.

Kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati në një konferencë për media më 14 tetor, tha se në këtë tubim do të mbajë fjalë ish-presidenti shqiptar Alfred Moisiu dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. Po ashtu, ai theksoi se nga Kosova drejt Tiranës do të nisen 60 autobusë.

Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë dhe ndaj tyre po zhvillohet procesi gjyqësor. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që të katërt i kanë mohuar.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com