AktualitetPolitikëTë fundit

Lamallari: Paraburgimi një nga padrejtësitë më të mëdha

Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari raportoi sot në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale si dhe në Komisionin e Çështjeve Ligjore dhe Administratën Publike, për raportin e vitit 2024.

Gjatë mbledhjes opozita ngriti edhe shqetësimin për paraburgimin në Shqipëri. Në përgjigje, ministri Lamallari pranoi se problematika është reale dhe theksoi se qasja ndaj paraburgimit duhet të ndryshojë rrënjësisht.

Lamallari e cilësoi paraburgimin si një nga padrejtësitë më të mëdha, ndërsa shtoi se kjo problematikë duhet adresuar.

“Një nga padrejtësitë më të mëdha është që të shpenzosh kohë në paraburgim më shumë se koha që gjykata vendos në vendimin përfundimtar. Kjo duhet adresuar. Kjo ka të bëjë edhe me mënyrën si janë shkruar dispozitat, por edhe me zbatimin e tyre në praktikë. Burgu duhet të shihet si mjeti i fundit, kur plotësohen edhe kushtet e rrezikshmërisë. Kjo kërkon ndërgjegjësim të të gjithë aktorëve përkatës, prokurorive dhe gjykatave, këtu vjen në ndihmë edhe roli i partnerëve”, tha Lamallari.

Lamallari tha se për sa i përket Kodit të ri Penal, “OSBE, ODIHR, Këshilli i Evropës dhe çdo organizëm tjetër janë të ftuar dhe kanë qenë të angazhuar përmes konsultave të ndryshme dhe takimeve që janë zhvilluar në qytete të ndryshme të Shqipërisë”.

Lamallari theksoi se “Ministria e Drejtësisë do të jetë suportuese në kuptimin e organizmit, logjistikës, mbështetjes financiare, gjithçka që është e nevojshme, për ta bërë të mundur që të kemi një proces sa më gjithëpërfshirës, ku secili që ka një ide, një mendim të pjekur bazuar në vite përvojë në sistemin gjyqësor, por edhe duke parë standardet e BE-së, dhe kur flitet për Kodin e Ri Penal janë 54 direktiva, të cilat janë përkthyer dhe do të jenë pjesë e Kodit të ri Penal.

Që do të thotë, një transformim tërësor që nuk kanë ndodhur gjatë këtyre viteve në Kodin ekzistues, por që tashmë është i nevojshme të përshtatet në Kodin e ri Penal, në mënyrë që edhe kur të flasin me partnerët evropiane, ne të kemi të njëjta dispozita që përkojnë me njëra-tjetrën”.

Lamallari u shpreh se “politika penale ndërtohet bazuar mbi situatën ku ndodhet vendi mësimet e nxjerra nga e shkuara, nga jurisprudenca që zhvillohet dita-ditës, por edhe duke marrë në konsideratë dhe standardet më të mira ndërkombëtare”.

Ministri gjithashtu bëri të ditur se pas përfundimit të punës me Kodin Penal do të ketë edhe një rishikim të Kodit Civil.

Lamallari theksoi se ndryshimet do të bëjnë që të përafrohen me direktivat e Bashkimit Evropian.

“Pas përfundimit të punës me Kodin Penal ne do të vijojmë një rishikim edhe të Kodit Civil, për të adresuar problematikat që lidhen me Kodin, por është ende herët të flasim për këtë proces. Edhe Kodi Civil dhe ai i Procedurës do të jenë pjesë e rishqyrtimit, kjo edhe për t’i bërë pjesë e kuadrit të brendshëm ligjor dhe për t’i përfaruar me direktivat e BE”, tha Lamallari.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com