Ekzekutimet publike thellojnë frikën dhe përçarjen në Gaza
Raportet për persona të maskuar të Hamasit që ekzekutojnë tetë palestinezë në publik kanë shkaktuar frikë dhe zemërim midis banorëve të Gazës – një territor tashmë i rraskapitur nga dy vjet luftë, zhvendosje dhe shkatërrim.
Vrasjet, të cilat Hamasi thotë se kanë në shënjestër “kriminelë dhe bashkëpunëtorë me Izraelin”, vijnë vetëm disa ditë pas përleshjeve të dhunshme midis luftëtarëve të Hamasit dhe anëtarëve të klanit të fuqishëm Dughmush në Qytetin e Gazës që lanë më shumë se 50 të vdekur – përfshirë 12 anëtarë të Hamasit.
Ndërsa familjet ende po festonin lirimin e rreth 2,000 të burgosurve palestinezë në këmbim të 20 pengjeve izraelite, të martën në mëngjes shpërthyen të shtëna të reja në lagjen lindore Shejaiya të Gazës.
Ndërsa Hamasi pohon se luftëtarët e tij po punojnë për të “rivendosur sigurinë” dhe “eliminuar paligjshmërinë”, shumë njerëz kanë frikë se grupi po përdor kaosin për të larë hesapet me rivalët dhe për të heshtur kritikët, përfshirë ata që vunë në dyshim sulmin e tij të 7 tetorit që shkaktoi luftën.
Mumen al-Natoor, një avokat që jeton në Gaza, i dënon ekzekutimet si akte të paligjshme: “Pse njerëzit brohorasin për kaos? Një burrë i maskuar vret një burrë tjetër të maskuar pa asnjë provë, pa hetim, pa gjykatë, pa as edhe një periudhë pritjeje për apelim, si e quajmë këtë? Rezistencë? Jo, kjo është paligjshmëri”, thotë ai.
“Ata që vrasin pa ligj janë kriminelë. Do t’i mbajmë përgjegjës. Ne jemi dëshmitarë të kapitullit më të errët në historinë tonë.”
Aktivisti i të drejtave të njeriut Khalil Abu Shammala i thotë BBC-së se Gaza ka hyrë në një “fazë të re dhe të rrezikshme”.
“Shoh frikë, disfatë dhe dëshpërim në sytë e njerëzve”, thotë ai. “Po, lufta ka ndaluar, por sfidat përpara janë të mëdha. Nëse njerëzit nuk shohin hapa të vërtetë që u japin shpresë, shumë do të vazhdojnë të largohen nga Gaza jo nga zgjedhja e tyre, por sepse mendojnë se nuk kanë të ardhme këtu.”
Ibrahim Faris, një aktivist që jeton në Rripin qendror të Gazës, e quan luftën e brendshme një “mëkat”.
“Nuk mund ta korrigjosh një gabim me një tjetër”, thotë ai. “Ekzekutimet pa gjyq të drejtë janë krim. Zoti e udhëzoftë popullin tonë.”
Ekzekutimet publike, gjakderdhja më e keqe e brendshme që nga hyrja në fuqi e armëpushimit, kanë përforcuar një ndjenjë frike se beteja e ardhshme e Gazës mund të mos jetë më me Izraelin, por midis vetë palestinezëve.
Fraksion.com

