Von der Leyen mbërrin në Tiranë, nis takimin me presidentin Begaj (AXHENDA)
Presidenti Bajram Begaj priti sot në një takim Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Von der Leyen ndodhet në Tiranë në kuadër të Forumit të parë të Investimeve “Bashkimi Europian-Ballkani Perëndimor” që do të zhvillojë punimet në datat 13-14 tetor.
Gjatë pritjes në presidencë, Presidenti Begaj i uroi von der Leyen mirëseardhjen në Tiranë, ndërkohë që në vijim po zhvillojmë edhe takimin me dyer të mbyllura.
Më pas, Ursula von der Leyen do të pritet në një takim edhe nga kryeministri Edi Rama me të cilin do të dalë edhe në një konferencë të përbashkët për shtyp në Kryeministri.
Në Pallatin e Kongreseve zhvillon sot punimet Forumi i parë i Investimeve “Bashkimi Europian-Ballkani Perëndimor”, një iniciativë e mbështetur nga Komisioni Europian, që ka për qëllim të forcojë bashkëpunimin ekonomik dhe të nxisë mundësi të reja investimi midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen do t’i drejtohet me një fjalë këtij forumi i cili mbledh në Tiranë përfaqësues të lartë qeveritarë nga Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, si dhe vendimmarrës, institucione financiare ndërkombëtare, investitorë strategjikë dhe kompani lidere nga BE-ja dhe më gjerë.
AGJENDA
Sakaq, ceremonia zyrtare e mirëseardhjes do të zhvillohet në orën 09:50 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku Presidentja e KE-së do të pritet me nderime shtetërore.
Pas ceremonisë, në orën 10:00, do të mbahet një takim kokë më kokë mes Kryeministrit Rama dhe Presidentes von der Leyen, i cili do të pasohet nga një takim bilateral mes dy delegacioneve respektive.
Vizita do të përmbyllet me një konferencë të përbashkët për shtyp, që do të mbahet në orën 11:15 në ambientet e Kryeministrisë.
Vizita e Presidentes së Komisionit Europian në Tiranë vjen në një moment të rëndësishëm për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe për thellimin e bashkëpunimit mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Po ashtu ajo do të takohet edhe me Presidentin Bajram Begaj, në një takim që pritet të mbahet në orën 9:15 në ambientet e Presidencës.
Fraksion.com

