Von der Leyen: E përqendruar në ambicien që Shqipëria të jetë pjesë e BE-së deri në 2027
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen u shpreh sot se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian bazohet në reforma dhe merita, të cilat janë të dukshme që po ndodhin edhe në Shqipëri.
Von der Leyen, iu përgjigj pyetjes së një gazetareje të një medieje shqiptare, në konferencën për shtyp, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama.
“Ne të gjithë themi me të drejtë që kushti i zgjerimit është një proces që bazohet në merita, dhe këto merita në Shqipëri janë të dukshme tani. Është një proces normal i hapjes së grup-kapitujve, ndërsa duhet të punojmë fort për reformat që të bëheni pjesë e BE-së”, tha Von der Leyen.
Presidentja e Komisionit Evropian, vlerësoi shpejtësinë me të cilën janë realizuar reformat këto 2-3 vitet e fundit.
“Jam e impresionuar me Ju, zoti Kryeministër, dhe me popullin shqiptar që thotë: “Po, ne duam të bëhemi pjesë e BE-së, të bëhemi anëtarë. E dimë që reformat janë për ne, në mënyrë që të forcojmë demokracinë dhe vendin tonë””, vijoi ajo.
Von der Leyen u shpreh se sukseset e viteve të kaluara që kanë ndodhur në Shqipëri janë të dukshme, ndërsa solli në vëmendje SEPA-n, roaming, Planin e Rritjes, që sipas saj po funksionon mjaft mirë në Shqipëri, si edhe Konferencën e Investimeve, duke i cilësuar të gjitha këto si hapa pozitivë.
“Jam e impresionuar thellë nga shpirti dhe fryma që gjej këtu në Shqipëri dhe jam e përqendruar në ambicien tuaj që deri në 2027-n Shqipëria të bëhet pjesë e BE-së”, pohoi Von der Leyen.
Fraksion.com

