AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Po ecim me shpejtësi në procesin e negociatave me BE-në

Kryeministri Edi Rama nënvizoi sot faktin se Shqipëria është duke ecur me shpejtësi në procesin e negociatave me Bashkimin Europian.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, Rama vlerësoi mbështetjen e Komisionit Europian në këtë proces.

Rama vlerësoi faktin e nisjes nga Shqipëria të turit në rajonin tonë të presidentes së KE, Von der Leyen, por edhe mbledhjen në Tiranë të Konferencës së Investimeve mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, që organizohet për herë të parë dhe që do të mikpresë një numër të konsiderueshëm sipërmarrjesh nga i gjithë rajoni.

Kryeministri theksoi se këtë forum synojmë ta kthejmë në një traditë në vitet në vijim.

Rama vlerësoi faktin se presidentja Von der Leyen dhe Komisioni aktual i japin një vëmendje të posaçme procesit të përafrimit të vendeve tona me Bashkimin Europian.

“Në këtë aspekt kemi folur për ecurinë e procesit të negociatave të Shqipërisë me BE-në, një proces që është duke ecur me shumë mbarësi dhe shpejtësi”, shtoi Rama.

Kryeministri falënderoi KE-në për mbështetjen e vazhdueshme dhe veçanërisht presidenten Von der Leyen, e cila sipas tij, “rikthehet në Tiranë e palëkundur në mbështetjen e procesit të anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në BE”.

“Dua të falënderoj KE-në jo për protokoll apo për formalitet, por për faktin që puna që ne po bëjmë për të çuar përpara proceset e brendshme të lidhura me reformat, me kapitujt e negociatave, nuk do të ishte dot e suksesshme siç është deri më tani pa mbështetjen e vazhdueshme të Komisioni dhe të të gjithë partnerëve brenda Komisionit që ndërveprojnë çdo ditë me ekipin tonë. Falënderoj presidenten Von der Leyen, jo vetëm për faktin që kthehet në rajon e në Shqipëri, por për faktin se rikthehet e palëkundur në mbështetjen  e procesit të anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në BE”, theksoi Rama.

Plani i ri i Rritjes që BE dhe Komisioni nën udhëheqjen e Von der Leyen i ka vënë në dispozicion Ballkanit Perëndimor, sipas kryeministrit Rama i jep mundësinë çdo vendi që përkundër agjendës së reformave dhe realizimit të objektivave të financohet nga BE në mbështetjen e thellimit të mëtejshëm të reformave.

“Më vjen shumë mirë që edhe në këtë pikë morëm vlerësim shumë pozitiv nga ana e Presidentes. Do të vazhdojmë të kryejmë me përpikëri dhe shumë këmbëngulje të gjitha detyrat që kemi marrë përsipër”, u shpreh Kryeministri.

Forcimi i bashkëpunimit në rajon dhe për forcimin sigurisë në rajon ishin një tjetër temë në të cilën u fokusua biseda mes dy zyrtarëve të lartë.

“Nënvizuam domosdoshmërinë që të lidhemi shumë më fort në funksion të qenies sonë në mes jo thjesht të Europës, por edhe në zemër të BE-së, nga pikëpamja gjeografike dhe në funksion të së nesërmes tonë që është me BE-në”, theksoi Rama.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com