AktualitetSportTë fundit

Rey Manaj tund rrjetën e serbëve, Shqipëria fitore historike

Shqipëria shkruan historinë në Serbi, triumfon 0-1 në derbin e Ballkanit duke mbajtur të ndezur ëndrrën për t’u kualifikuar në Botëror. Rey Manaj realizoi një super gol, për më tepër një gol historik duke thyen rivalët e përjetshëm brenda në Leskovac. Në një ndeshje të luftuar fort diferencën e bërë shpirti i djemve të Sylvinhos.

Me peshën e një kombi mbi supe, djemtë e Sylvinjos i bënë ballë presionit të Serbisë në fillimin e pjesës së parë, ku Vlahovic me shokë tentuan në disa momente të gjenin golin e avantazhit, por Strakosha u tregua perfekt duke ndalur çdo tentative. Nuk kishte të pranishëm tifozë ultras, por në stadiumin e Leskovacit nuk munguan thirrjet “Kosova është Serbi”. Në frymën e fundit, në shtesën e pjesës së parë, Rey Manaj me një predhë të vërtetë brenda në zonë dërgoi topin në trekëndësh duke bërë që tifozët kuqezi në të të gjithë botën të shpërthenin në festë.

Goli u shënua në minutën e 46 ku Rey Manaj tundi rrjetën e serbëve. Një krosim nga e djathta nuk arrihet nga Ajeti dhe topi shkon te Manaj. Sulmuesi me një gjuajtje fluturimthi, ia del ta dërgojë topin në fundin e rrjetës. Lushnjari ndëshkohet me karton të verdhë, pas festës me shqiponjë.

E sigurt që për Manaj ky ishte kartoni i verdhë më i ëmbël në karrierë. Në fraksionin e dytë, ashtu siç pritej, Serbia u hodh në sulm në kërkim të golit të barazimit, por Shqipëria mbrojti me fanatizëm këtë rezultat historik që i jep kuqezinjve vendin e dytë në Grupin K.

Takimi, që u zhvillua në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026, u shoqërua nga një atmosferë tejet e tensionuar dhe me masa të rrepta sigurie, ndërsa në tribuna nuk munguan as thirrjet provokuese me ngjyrim politik.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com