Kandidon për Tiranën, Florjan Binaj largohet nga emisioni investigativ: Ndahem me Piranjat, por jo nga misioni për ndryshim
Florjan Binaj është larguar nga moderimi i emisionit “Piranjat”, pasi shpalljes së kandidaturës për të garuar si kandidat i pavarur për zgjedhjet e parakohshme lokale për Bashkinë e Tiranës.
Këtë gjë e ka bërë me dije vetë Binaj, në nisje të emisionit të sotëm, ku pritet të jetë dhe i fundit për të. Gjatë fjalës së tij, aktori theksoi se ndryshimi vjen duke bërë një hap, ku ai e bëri hapin e tij, dhe tani pret që ta bëjnë dhe të tjerët.
“Sot është momenti im më i vështirë në këtë skenë. Sepse sot, duhet të ndahem me Piranjat. Po ndahem me nostalgji nga një punë dhe një program që e dua shumë dhe që e ndjej pjesë të trupit tim. Por po ndahem për diçka më të madhe.
Kanë qenë 3 vjet që më kanë rritur shumë si artist dhe si njeri. Për 3 vjet, në këtë familjen tonë të vogël, kemi denoncuar jo vetëm korrupsionin dhe abuzimin, por kemi ekspozuar edhe brishtësinë e shoqërisë shqiptare, plot me plagë shoqërore, morale dhe emocionale.
Për mua, humori nuk ka qenë thjesht argëtim, por një ilaç që zbut dëshpërimin dhe dhimbjen e njerëzve. E kam përdorur humorin edhe si mjet për të hapur sytë ndaj së keqes që na rrethon dhe për ta vënë pushtetin para përgjegjësisë.
Fraksion.com

