Arrestohet analisti Fatmir Sheholli, dyshohet për përfshirje në spiunazh për Serbinë
Policia e Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me AKI-në dhe prokurorinë ka arrestuar sot Fatmir Shehollin, me dyshimet e bazuara për përfshirje në spiunazh, tha ministri në detyrë i Brendshëm, Xhelal Sveçla.
Ministri në detyrë tha se ai ka bashkëpunuar me akterë “që çdo ditë punojnë e veprojnë për të minuar Republikën tonë dhe progresin e saj”.
Tutje, Sveçla shkroi se “koha e spiunëve të Serbisë në Kosovë ka përfunduar”.
Ai tha se kushdo që punon për Serbinë e kundër Kosovës do të ndiqet pa kompromis.
Prokuroria Speciale e Kosovës tha se Policia e Kosovës është duke kryer bastisje në vendbanimin e Fatmir Shehollit, i cili u arrestua sot nën dyshimin për përfshirje në spiunazh.
Përmes një njoftimi për media, Prokuroria tha se janë zhvilluar hetime disa mujore, ndërkaq Sheholli është arrestuar sot, më 9 tetor në rajonin e Prishtinës nga hetuesit policorë të Drejtorisë për hetimin e krimit të organizuar dhe krimeve të rënda në Policinë e Kosovës.
Sipas Prokurorisë, ai është ndaluar për 48 orë dhe autoritetet po kryejnë bastisje në vendbanimin e tij me qëllim të sigurimit të provave të tjera materiale.
“Prokuroria Speciale e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordnim me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet në fuqi, për të cilat publiku do të njoftohet në kohë”, tha Prokuroria./Kosovapress
Fraksion.com

