Mersini: Kandidimi për Vlorë është mision shpirtëror
Kandidatja e zyrtarizuar sot nga Partia Socialiste për bashkinë e Vlorës, Brunilda Mersini, ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me përzgjedhjen e saj nga kryesia e Partisë Socialiste.
Mersini shprehet se vendimi për të kandiduar si deputete në zgjedhjet e 11 majit ka qenë një nga vendimet më të rëndësishme të jetës së saj.
Ajo shton se pas besimit të kandidaturës për bashkinë, më shumë se një detyrë ajo e sheh si një mision shpirtëror për të.
“Të kandidoja për të përfaqësuar qytetin tim si deputete ishte një nga vendimet më të rëndësishme të jetës sime. Ishte një thirrje për t’i shërbyer komunitetit me ndershmëri, përkushtim dhe dashuri. Me mirënjohje dhe me ndjesinë e thellë të përgjegjësisë, sot më besohet kandidatura për Kryetare të Bashkisë së Vlorës”, shkruan ajo.
Mersini thekson se, “ky nuk është një udhëtim ambicieje personale, por një angazhim i thellë për të dëgjuar çdo zë, për të ndërtuar ura bashkëpunimi për një të ardhme më të mirë qytetit tonë. Çdo takim me ju, që më besuat në kandidaturën si deputete, çdo bisedë në rrugët e Vlorës, çdo dorë e shtrirë me mirësi, më ka dhënë forcën për të ecur përpara. Keni qenë pranë meje në çdo hap, me besim, me kurajo dhe me atë ndjenjë të thellë përkatësie që vetëm vlonjatët dinë ta japin”.
“Të jesh përfaqësuese e këtij qyteti është më shumë se detyrë, është mision shpirtëror. Dhe sot, ky mision merr një përgjegjësi të re: të punoj, me gjithë energjinë, përkushtimin dhe dashurinë time, për të patur një Vlorë që i ngjan njerëzve të saj të ndershëm, punëtorë, krenarë dhe plot dritë”, shkruan Mersini, e cila më tej falenderon në veçanti kryeministrin Edi Rama dhe drejtuesin politik të qarkut, Bledi Çuçi, për besimin që treguan ndaj saj.
Po ashtu, ajo falenderon edhe strukturat e Partisë Socialiste dhe qytetarët e Vlorës.
Mersini u premton atyre se do t’u qëndrojë çdo ditë pranë, duke i dëgjuar, duke punuar, dhe duke e “vënë zemrën në çdo gjë”, që do të bëjë.
“Për mua, kjo nuk është thjesht një garë politike, është një rrugëtim zemre për Vlorën”, shton Mersini.
Fraksion.com

