Atentat në Gjykatën e Apelit Tiranë, ekzekutohet gjyqtari Astrit Kalaja! Dy të plagosur
Një ngjarje e paprecedentë këtë të hënë, 6 tetor, rreth orës 15:40. Gjykata e Apelit Tiranë u kthye në skenë krimi, ku u qëllua për vdekje gjyqtari i njohur Astrit Kalaja, ndërsa u plagosën edhe dy persona të tjerë, babë e bir (palë në proces gjyqësor).
Autori është Elvis Shkambi, rreth 30 vjeç, i cili ishte palë në një proces gjyqësor për një çështje pronësie në qytetin e Shkodrës, për të cilën dyshohet se gjykatësi e ka dhënë verdiktin sot, jo në favor të tij. Ai është arrestuar nga Policia, ndërsa është sekuestruar edhe arma e krimit.
Ngjarja u dënua ashpër nga presidenti Begaj, kryeministri Rama, kryedemokrati Berisha, OSBE etj.
Gjyqtari Kalaja mori të paktën tre plumba. Fatal ishte ai në kraharor. Ai mbërriti i vdekur në spital. Dy të plagosurit, babë e bir, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Konflikti për pronën vijonte prej vitesh. Xhaxhai i autorit të dyshuar, e kishte denoncuar atë edhe publikisht në emisionin Stop e Shiheni në Gjyq.
Ngjarja:
Katër plumba janë lëshuar drejt gjyqtarit Astrit Kalaja, menjëherë pasi ai dha vendimin për një çështje pronësie, që ishte kundër familjes së autorit Elvis Shkambi. Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha bën me dije se autori 30-vjeçar e ka qëlluar me katër plumba brenda sallës sapo ka dhënë vendimin, ndërsa tre prej e kanë kapur gjyqtarin në gjoks.
Një ngjarje tronditëse ka ndodhur mesditën e sotme, ku brenda sallës së Gjykatës së Apelit në Tiranë, duke kryer detyrën, gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua me armë zjarri nga Elvis Shkambi.
Por si arriti të futej brenda në sallë autori i armatosur, kur në këtë institucion, si në çdo institucion tjetër, kalohet nëpër disa kontrolle fizike dhe me detektor metalik?
Mister mbeten edhe arsyet që çuan në eliminimin fizik të gjyqtarit, dhe plagosjen e dy persona të tjerë që ndodheshin në sallë, babë e bir.
Fraksion.com

