Anëtari i këshillit të qytetit gjerman nga AfD-ja mori pjesë në një forum të ekstremit të djathtë në Rusi
Anëtari i asamblesë së qytetit të Hamburgut nga partia gjermane Alternativa për Gjermaninë (AfD), Robert Risch, mori pjesë këtë muaj në një forum të ekstremit të djathtë në Rusi, ku u mblodhën politikanë të ekstremit të djathtë nga disa vende, sipas pamjeve të analizuara nga konferenca.
Një ish-anëtare e AfD-së, e përjashtuar nga asambleja e Hamburgut, gjithashtu mori pjesë në konferencën e mbajtur në Shën Petersburg, e organizuar nga Konstantin Malofeyev, një oligark i lidhur me Kremlinin, i cili promovon imperializmin rus dhe është nën sanksione perëndimore për përfshirjen në luftën agresore të Moskës kundër Ukrainës.
Në disa nga fotografitë e publikuara nga forumi, fytyrat e disa pjesëmarrësve ishin mbuluar, përfshirë një ku shihet një burrë i ulur në tryezën e konferencës pas një pankarte që tregon se ai vinte nga Gjermania.
Por, të njëjtët njerëz shfaqeshin në fotografi të tjera që ishin publikuar pa ndonjë maskim.
Shërbimi rus i Radios Evropa e Lirë (REL) ia tregoi fotografinë e një delegati gjerman Sergej Meierit, studiuesit dhe hetuesit të burimeve të hapura në kanalin gjerman RTL, i cili e identifikoi këtë delegat si Risch.
Një program i Amazonit për njohjen e fytyrës e konfirmoi ngjashmërinë mes tyre.
AfD-ja, e cila në shkurt arriti rezultatin e saj më të mirë historik në zgjedhjet parlamentare, duke fituar gati 21 për qind, është përpjekur të zbusë imazhin e partisë.
Në maj, agjencia gjermane e inteligjencës së brendshme e shpalli AfD-në parti entitet ekstremist që kërcënon demokracinë, një vendim që partia po përpiqet ta rrëzojë.
Risch nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it përmes emailit, dhe AfD-ja nuk iu përgjigj një letre të dërguar në zyrën e saj në Berlin për komente.
Analizimi i pamjeve nga konferenca dhe rrjetet sociale tregon se një pjesëmarrëse tjetër ishte Olga Petersen, e cila u përjashtua nga AfD-ja dhe nga asambleja e Hamburgut në vitin 2024.
Në mars të atij viti, ajo mori pjesë si vëzhguese në zgjedhjet ku presidenti rus, Vladimir Putin, siguroi një mandat të ri, dhe thuhet se ajo i vlerësoi zgjedhjet ruse “të hapura, demokratike dhe të lira”.
Në shkurt, Petersen – e lindur në Rusi, tu tani jeton – postoi fotografi ku shihej me ushtarë rusë në një pjesë të pushtuar të Ukrainës.
Petersen nuk iu përgjigj pyetjeve të dërguara nga REL-i përmes Facebook-ut.
Konstantin Malofeyev, një oligark i lidhur me Kremlinin dhe i dashuruar haptazi pas trashëgimisë imperialiste e ortodokse të Rusisë, është nën sanksione perëndimore që nga viti 2014.
Ai është gjithashtu në shënjestër të një fletarrestimi ndërkombëtar nën dyshimin për krijim dhe financim të formacioneve të paligjshme paramilitare.
Rrjeti i tij mediatik, Tsargrad, ka qenë instrument kryesor në promovimin e të ashtuquajturit projekti “Novorossia” për ta arsyetuar pushtimet e tokave të Ukrainës nga Rusia.
Ai shërbeu si një platformë vendimtare për përhapjen dhe popullarizimin e ideve të ideologut prorus dhe ekstremist të djathtë, Aleksandr Dugin, i cili shihet ulur pranë Malofeyevit në një fotografi nga konferenca./REL
Fraksion.com



