Tetori Rozë, Begaj: Parandalimi dhe diagnostikimi i hershëm shpëtojnë jetë
Me nisjen e Tetorit Rozë, muajit të fushatës globale të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, Presidenti Bajram Begaj përcolli sot një mesazh inkurajues për gratë dhe vajzat që përballen me këtë sfide.
Duke iu referuar sloganit të këtij viti të shpallur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, Presidenti Begaj theksoi rëndësinë e diagnostikimit të hershëm për parandalimit e kësaj sëmundjeje.
“Çdo histori është unike, çdo rrugëtim ka rëndësi. Në Muajin e Ndërgjegjësimit të Kancerit të Gjirit, inkurajojmë gratë dhe vajzat që me guxim të jashtëzakonshëm përballen me këtë sëmundje. Parandalimi dhe diagnostikimi i hershëm shpëtojnë jetë”, shkruan Begaj në mesazhin e publikuar në rrjetet sociale.
Ky muaj shërben për të informuar dhe sensibilizuar publikun mbi rëndësinë e diagnostikimit të hershëm dhe parandalimit të sëmundjes, që vazhdon të jetë një nga shkaktarët kryesorë të vdekshmërisë në botë.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e ka shtrirë fushatën e saj sensibilizuese jo vetëm në tetor, por gjatë gjithë vitit. Kontrollet e rregullta janë thelbësore për diagnostikimin e hershëm në luftë kundër kancerit dhe për mbrojtjen e shëndetit.
MSHMS ka mundësuar që nëpërmjet portalit “e-Albania” çdo grua të njoftohet për kryerjen në kohë të mamografive dhe kryerjen e kontrolleve.
Fraksion.com

