Sekuestrohet në Tiranë ‘Lamborghini Urus’ me vlerë 160 mijë euro
Sekuestrohet në Tiranë ‘Lamborghini Urus’ me vlerë 160 mijë euro. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se mjeti luksoz i përket shtetasit Sahit Shpatajt, i cili e kishte regjistruar në emër të kompanisë së tij. I riu rezulton person me precedentë penale për vjedhje nëpërmjet përvetësimit të padrejtë të detyrës shtetërore, dhunë në familje dhe kundërshtim të punonjësve të Policisë.
NJOFTIMI I POLICISE
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Manovra”, me objektiv gjurmimin e aseteve të përfituara nga krimet. Sekuestrohet automjeti “Lamborghini Urus” i një 34-vjeçari me precedent për disa vepra penale, ndër to, vjedhje nëpërmjet përvetësimit të padrejtë të detyrës shtetërore. 34-vjeçari Sahit Shpataj dyshohet se e kishte regjistruar automjetin me vlerë rreth 160 000 euro, në emër të një kompanie, për të shmangur gjurmimin dhe për të justifikuar vlerën.
Në kuadër të operacionit, u ndalua në aksin rrugor “Sauk-TEG”, automjeti tip “Lamborghini Urus”, me drejtues shtetasin S. Sh., 34 vjeç, me precedentë për vjedhje nëpërmjet përvetësimit të padrejtë të detyrës shtetërore, dhunë në familje dhe kundërshtim të punonjësve të Policisë.
Nga verifikimet e mëtejshme dyshohet se ky shtetas e kishte regjistruar këtë automjet, në emër të një subjekti tregtar në pronësi të shtetasit E. D., me qëllim justifikimin e vlerës së tij. Në vijim të veprimeve procedurale nisi procedimi penal për të 2 këta shtetas. Vijojnë hetime për të gjurmuar dhe sekuestruar pasuri të tjera të shtetasit S. Sh. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Fraksion.com

