AktualitetPolitikëTë fundit

60-vjetori i Batalionit të Mbështetjes, Vengu: Njësi me përgjegjësi për sigurinë dhe infrastrukturat kritike

Batalioni i Mbështetjes së Shtabit të Përgjithshëm festoi sot 60-vjetorin e krimjit të tij.

Me këtë rast në mjediset e repartit u zhvillua një ceremoni ku ishin të pranishëm, presidenti Bajram Begaj, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Arben Kingji si dhe gjeneralë dhe drejtorë të strukturave të MB-së dhe Shtabit të Përgjithshëm.

Në fjalën e tij përshëndetëse, ministri Vengu tha se “60-vjetori i Batalionit të Mbështetjes është një pikë veçanërisht kulmore në historinë e kësaj njësie për vet faktin se ajo ka shoqëruar në historinë e Shqipërisë moderne të gjitha etapat e transformimit të Forcave të Armatosura, por gjithashtu dhe dritëhijet e shtet ndërtimit tonë sidomos gjatë periudhës së tranzicionit”.

Vengu theksoi gjithashtu përgjegjësinë e kësaj njësie për sigurinë e kryeqytetit dhe infrastrukturave kritike.

“Një element që u theksua padyshim është zanafilla e kësaj njësie që në periudhën e luftës Nacional-Çlirimtare, por harrojmë dhe një dimension tjetër, se bashkërisht me strukturat tuaja drejtuese synojmë që ta rikthejmë shumë e më shumë, është përgjegjësia e kësaj njësie për sigurinë e kryeqytetit dhe infrastrukturave kritike”, tha Vengu.

Vengu u ndal edhe tek një element i dytë, i cili kishte të bënte me faktin se ky batalion ka shërbyer edhe si shkollë komandimi për Forcën e Armatosur.

“Nuk është rastësi që një pjesë e mirë e drejtuesve të Forcave të Armatosura, qofshin këta nga struktura operacionale, spitalore, mbështetëse apo qoftë dhe të inteligjencë ushtarake  kanë dalë nga ky batalion, sepse është një batalion që përfaqëson tërësinë e spektrit, qoftë të luftimit, qoftë të përfaqësimit të shtetit në dritën e tij më të mirë dhe veçanërisht këtu dua të falënderoj dhe ceremonialin ushtarak dhe shtetëror dhe bandën frymore që bëjnë më të mirën për të nderuar vendin dhe Forcën e Armatosur”, u shpreh Vengu.

Në mbyllje të fjalës së tij, Vengu falënderoi të gjithë komandantët, drejtuesit e batalionit “të cilët ndër vite kanë qëndruar veçanërisht besnik ndaj transformimeve që ka pësuar ky batalion dhe të cilët janë investuar që të na mbështesin për sa i përket, rritjes fuqizimit, modernizimit të tij, ju falënderoj për kontributin e dhënë”.

Batalioni i Mbështetjes të Shtabit të Përgjithshëm është një ndër repartet elitë të Forcave të Armatosura. Misioni i tij është ruajtja dhe mbështetja e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm në të gjitha aktivitetet e ndryshme ushtarake, brenda dhe jashtë vendit, në kohë paqe dhe lufte. E veçanta e këtij batalioni nga njësitë e tjera të FA është se në përbërje të tij është Kompania Ceremoniale dhe Orkestra Frymore e Forcave të Armatosura, të cilat mbulojnë të gjitha ceremonitë ushtarake të Forcave të Armatosura.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com