Lirimi i hapësirave publike, çmontohen 210 objekte shërbimi në zonën e Aeroportit të Rinasit
Lirimi i hapësirave publike nga ndërtimet e paligjshme i paraprin zbatimit të programit “Rilindja Urbane 2.0”, i cili synon të kthejë ligjshmërinë në territor duke sjellë zhvillim për komunitetet.
E konceptuar si një ndërhyrje sistematike në terren dhe jo një aksion i përkohshëm, kjo nismë, e cila ka nisur nga zbatimi në muajin korrik, po vijon me prioritet në gjithë territorin e vendit.
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka vijuar sot punën për lirimin e hapësirave publike në zonën e Aeroportit të Rinasit.
Aktualisht janë prishur dhe çmontuar 210 objekte shërbimi të ndërtuara pa leje.
IKMT bën të ditur se, puna për lirimin e hapësirave do të vijojë deri në pastrimin e plotë të zonës.
Për goditjen e fenomenit të ndërtimeve pa leje, në Kodin e ri Penal, parashikohen ndëshkime më të ashpra.
Ndërkohë, një tjetër mekanizëm që do të jetë në funksion të subjekteve private do të jetë Rregullorja e re Kombëtare, ku do të përcaktohen me ligj hapësirat që mund të shfrytëzojnë bizneset.
Kryeministri Rama ka bërë të ditur më herët se “për çdo karrige të vendosur në hapësirën e kufizuar, subjekti duhet të kontribuojë me një pemë në Fondin e Gjelbër, që do të krijojë qeveria e re”.
Për këtë qëllim në dispozicion të qytetarëve të cilët duan të denoncojnë rastet abuzive është vënë në dispozicion Portali “Hapësiraimepublike.gov.al”.
Deri më sot në këtë portal janë raportuar 12 484 raste, nga të cilat janë zgjidhur 9109 raste, ndërsa 3375 të tjera janë aktualisht në proces shqyrtimi.
Fraksion.com

