Apeli ul me 5 vite dënimin për Francesco Becchetti-n
Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dënoi këtë të martë, 30 shtator, me 12 vite burg biznesmenin italian Francesco Becchetti. Atij iu ul kështu dënimi me 5 vite, pasi në vitin 2022 u dënua nga Gjykata e Tiranës me 17 vite burg.
Biznesmeni italian është dënuar nga drejtësia shqiptare për 4 vepra penale: “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Falsifikim dokumentesh” dhe “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”.
Po në vitin 2022, Gjykata e Tiranës vendosi gjithashtu të pushojë përfundimisht veprimtarinë e kompanive që ishin në emër të biznesmenit italian dhe bashkëpunëtorëve të tij. Pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, të sekuestruara më herët, i kaluan shtetit.
Njoftimi i Gjykatës së Apelit
Referuar interesimit të medias, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:
Lënien në fuqi të vendimit Nr. 440, datë 23.02.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me këtë ndryshim:
-Në zbatim të nenit 55 të K.Penal, dënimin përfundimtar të të pandehurit Francesco Beccheti me 12 (dymbëdhjetë) vjet burg.
-Në zbatim të nenit 55 të K.Penal, dënimin përfundimtar të të pandehurit Mauro De Renzis me 12 (dymbëdhjetë) vjet burg.
-Prishjen e vendimit dhe pushimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurit Shoqeria “Kalivaç Green Energy” sh.p.k, për sa i përket veprës penale “Falsifikim i dokumetave”, parashikuar nga neni 186/2 i K.Penal.
-Prishjen e vendimit dhe pushimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurit Shoqeria “Energy” sh.p.k, për sa i përket veprës penale “Falsifikim i dokumetave” dhe “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën” parashikuar nga neni 186/2 i dhe 135-25 të K.Penal.
-Kunder ketij vendimi lejohet rekurs në Gjykatën e Lartë sipas ligjit.
Fraksion.com

