AktualitetTë fundit

Apeli i GJKKO i heq masën e arrestit në shtëpi avokatit Besart Logu

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi sot që të ndryshojë masën “Arrest shtëpie” ndaj avokatit Besart Logu, i cili ndodhet nën hetim për veprën penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm”.

Në vendimin e shpallur sot nga gjyqtari Florjan Kalaja, Apeli i GJKKO vendosi ndaj tij masën e sigurimit të ndalimit të përkohshëm të ushtrimit të profesionit të avokatisë.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke nisur ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.

Sipas SPAK nga hetimet ka rezultuar se me datë 13 dhjetor 2024, Logu ka marrë shumën prej 8.000 euro, me qëllim për të ndikuar te prokurori, gjyqtari dhe ekspertët që kishin në ngarkim çështjen penale në ngarkim të tij në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Hetimet, sipas SPAK, kanë provuar se kjo shumë nuk ishte pagesë për shërbime avokatie, por një shumë e dhënë kundrejt premtimit se do t’u dorëzohej prokurorit, gjyqtarit dhe ekspertëve për lirimin nga burgu të klientit e tij, S. C. Ky premtim nuk është realizuar.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com