Shkarkimi i Veliajt, Këshilli Bashkiak i Tiranës vendos pasditen e sotme
Këshilli Bashkiak i Tiranës, do të vendosë sot, në mbledhjen e orës 16:00 për shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit 2025.
Në mbledhjen e ditës së sotme të Komisionit të Çështjeve Ligjore pranë bashkisë së Tiranës u shqyrtua kërkesa e Veliajt për të marrë pjesë në mbledhje. Sipas medieve, në këtë mbledhje ka pasur debate të forta mes mazhorancës e opozitës, për faktin se kërkesat e opozitës nuk janë përfshirë në rend dite që Veliaj të jetë i pranishëm në seancën e pasdites dhe të dëgjohet.
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kërkoi të ishte i pranishëm në mbledhjen e këshillit bashkiak të Tiranës, ku do të votohet për shkarkimin e tij.
Në dokumentin e bërë publik të hënën, Veliaj u shpreh se Sekretari i Këshillit Bashkiak nuk ka tagër ligjor për të marrë vendime në emër të këshillit, dhe pjesëmarrja e tij është e drejtë e Këshillit për t’u dëgjuar dhe mbrojtur.
Nga ana tjetër, Këshilli ka njoftuar Veliajn se ai nuk mund të marrë pjesë fizikisht, ndërsa mund të paraqesë me shkrim qëndrimet e tij, të cilat do të regjistrohen dhe do të bëhen publike gjatë seancës.
Në rast të një vendimi të këshillit bashkiak për shkarkimin e kryebashkiakut Veliaj, Tirana shkon në zgjedhje të parakohshme.
Mazhoranca socialiste ka paraqitur emrin e Ogerta Manastirliut si kandidate të Partisë Socialiste, në zgjedhjet për bashkinë e Tiranës.
Duke prezantuar Manastirliun si kandidate gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të PS-së, Kryeministri Rama e cilësoi situatën në kryeqytet si emergjente, pas 7 muajsh mungesë të kryetarit të zgjedhur Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim prej 10 shkurtit 2025.
Kryebashkiaku Erion Veliaj akuzohet nga SPAK për 13 akuza, mes të cilave 9 raste korrupsioni.
Fraksion.com

