AktualitetPolitikëTë fundit

Këshilli Bashkiak vendos sot, a do të jetë i pranishëm Erion Veliaj në shkarkimin e tij?

Në orën 10:00 ka nisur mbledhja e Komisionit të Ligjeve në Bashkinë e Tiranës, ku pritet të futet në rend dite kërkesa e këshilltarëve socialistë për shkarkimin e Erion Veliajt nga posti i kryebashkiakut.

Në mbledhje pritet të shqyrtohet nga ana procedurale kërkesa për shkarkimin e Veliajt, ndërsa ky takim i paraprin mbledhjes së këshillit në orën 16:00.

Veliaj, i cili është i arrestuar që prej muajit shkurt, kërkoi të ishte i pranishëm në mbledhjen e këshillit bashkiak të Tiranës, ku do të votohet për shkarkimin e tij.

Në dokumentin e bërë publik të hënën, ai ka thënë se Sekretari i Këshillit Bashkiak nuk ka tagër ligjor për të marrë vendime në emër të këshillit, dhe pjesëmarrja e tij është e drejtë e Këshillit për t’u dëgjuar dhe mbrojtur.

Nga ana tjetër, Këshilli ka njoftuar Veliajn se ai nuk mund të marrë pjesë fizikisht, ndërsa mund të paraqesë me shkrim qëndrimet e tij, të cilat do të regjistrohen dhe do të bëhen publike gjatë seancës.

Ndërkohë,   SPAK dhe Drejtoria e Burgjeve konfirmojnë se deri tani nuk ka mbërritur asnjë kërkesë nga Veliaj për leje të veçantë për të marrë pjesë në mbledhje.

Sipas procedurave ligjore, për personat në paraburgim, prokurori i çështjes jep miratimin fillestar për lëvizje jashtë institucioni.

Veliaj dhe bashkëshortja Ajola Xoxa janë nën hetim nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash, akuzat të cilat ata i kanë mohuar dhe cilësuar si sulm politik. SPAK pritet të komunikojë përfundimin e hetimit ndaj tyre gjatë këtij muaji.

Mbledhja e sotme shënon një nga momentet më të tensionuara në historikun e Bashkisë së Tiranës, ndërsa qytetarët presin vendimin për të ardhmen e kryebashkiakut.

Në rast se kryebashkiaku shkarkohet, ai ka të drejtë ta ankimojë vendimin në Gjykatën Kushtetuese 15 ditë më vonë, më pas është ky organ që jep verdiktin.

Kujtojmë se  ka  më se  7 muaj që Veliaj ndodhet në qeli. Me vendim të GJKKO-së, në shkurt u caktua masa e“arrestit me burg” ndaj kryebashkiakut dhe ajo e “arrestit në shtëpi” për bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa.

Ky moment i bujshëm, erdhi pas kontrolleve në banesën e kreut të bashkisë Tiranë, që prej 6 dhjetorit 2024 dhe dëshmisë për rreth 5 orë në SPAK.

Veliaj, u shoqërua atë ditë nga ambientet e bashkisë në drejtim të dhomave të sigurisë, në afërsi të rrugës “Mine Peza”, pranë burgut 302, si më poshtë:

Në reagimin e tij të parë pasi iu vunë prangat, nuk shprehu befasi, duke e cilësuar procesin gjyqësor ndaj tij, “fundi absurd” i një kapitullit të gjatë zvarritjeje ose “fyerje të gjallë të inteligjencës njerëzore”.

Më pas nisin sulmet e tij ndaj prokurorit Ols Dado, të ndara në  disa episode,. të cilat kryebashkiaku i ndante me publikun nga qelia.

“Më quajti ndyrësirë“, ishte ky pretendimi i tij fillimisht, teksa përshkruante seancën maratonë e të tensionuar të 12 shkurtit, kur u verifikua masa e sigurisë ndaj tij. Kjo akuzë u mohua nga ana e SPAK dhe GJKKO-së, ndërsa u publikua edhe audio-regjistrimi për seancën në fjalë:

Izolimin e tij në qeli, Veliaj e ka cilësuar herë pas here një “kurth që do ta çmontojë” dhe se është i vendosur për të hedhur dritë mbi akuzat e ngritura kundër tij.

Ai madje ka kërkuar pezullimin nga detyra të prokurorit, në një letër drejtuar Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë. Duke thënë se ai ishte në konflikt interesi, kërkoi që Dado të procedohej penalisht, lidhur me shkeljet e kryera në shqyrtimin e çështjes penale në ngarkim të tij.

Përpos sagës Dado-Veliaj, nuk mund të mos përmendim protestën para SPAK, në mbështetje të Veliajt. Mëngjesin e 12 shkurtit dhe pasditen e po të njëjtës ditë, mbështetës të kryebashkiakut Veliaj u mblodhën në një tubim përballë Gjykatës së Posaçme, duke bllokuar hyrjen kryesore të saj, teksa në përfundim të seancës, ndaluan edhe kalimin e furgonit që shoqëronte kryebashkiakun drejt bllokut të sigurisë.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com