Bardhi: Veliaj u shkarkua pa pasur mundësi të thoshte asnjë fjalë
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi reagoi sot pas votimit nga këshilli bashkiak i Tiranës të propozimit për shkarkimin e Erion Veliajt nga drejtimi i bashkisë.
Bardhi u shpreh se, “Veliaj iku nga drejtimi i bashkisë më të madhe në vend pa pasur mundësi të thoshte asnjë fjalë, t’i jepte dorën askujt dhe as të thoshte lamtumirë”.
“Ai iku si funksionari simbol i korrupsionit, abuzimit dhe paligjshmërisë në krye të punëve të kryeqytetit”, theksoi Bardhi.
Sipas Bardhit, i sotshmi nuk ishte një mesazh thjesht dhe vetëm për Erion Veliajn, por shtoi ai, ishte një paralajmërim për fundin që i pret të gjithë zyrtarët që kanë abuzuar me pushtetin.
Edhe sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi reagoi pas vendimit të këshillit bashkiak.
Blushi u shpreh se, “vota e këshilltarëve të PS për shkarkimin e Erion Veliajt është po ashtu një votë për (vet)shkarkimin e tyre”.
Sipas tij, “ata kanë mbështetur me votë dhe legjitimuar çdo aferë korruptive, çdo akt kriminal dhe çdo shkatërrim të qëllimshëm të Tiranës.”
Blushi u shpreh se, “ky shkarkim i Erion Veliaj është jo vetëm i domosdoshëm, por edhe shumë i vonuar. Ai duhet të shënojë fillimin e një procesi të thellë drejt llogaridhënies dhe rikthimit të Bashkisë te qytetarët”.
Këshilli bashkiak i Tiranës miratoi sot propozimin për shkarkimin nga detyra të kryetarit të bashkisë së kryeqytetit, Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit të këtij viti.
Në mbledhjen e sotme këshilli bashkiak miratoi me 50 vota pro propozimin për shkarkimin nga detyra të Veliajt.
Kërkesa për shkarkimin e kryebashkiakut Veliaj u depozitua nga anëtarët socialistë të këshillit bashkiak, bazuar në nenin 62 të ligjit “Për Vetëqeverisjen Vendore”, i cili parashikon shkarkimin e një kryebashkiaku nëse ai mungon në detyrë për më shumë se tre muaj pa ndërprerje.
Fraksion.com

