Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu ka shkarkuar nga detyra zëvendësin e saj Andi Mahila, pasi ky i fundit u filmua duke tymosur një cigare në një restorant. Lajmin e ka konfirmuar vetë Koçiu përmes një deklarate publike, ku shpjegon dhe arsyet e këtij vendimi.

Sipas ministres, arsyeja lidhet me një denoncim të bërë nga një qytetar shqiptar që jeton në New York, i cili ka raportuar se Mahila kishte pirë cigare në ambientet e brendshme të një restoranti, duke shkelur ligjin për ndalimin e duhanit në hapësira të mbyllura publike.

Koçiu theksoi gjithashtu se ka kontaktuar personalisht qytetarin që bëri denoncimin për ta informuar se shqetësimi i tij nuk u injorua: “Nga ana ime e kam njoftuar bashkëatdhetarin që dërgoi mesazhin, se shqetësimi i tij i drejtë nuk ra në vesh të shurdhër. I siguroj të gjithë qytetarët, që do të denoncojnë shkelje të cilitdoqoftë, se do të dëgjohen me të njëjtin respekt. Jo vetëm me fjalë por me qëndrimet parimore, që ata me plot të drejtë presin prej nesh.”

Andi Mahila ka shërbyer si zëvendësministër i Punëve të Brendshme që nga janari i vitit 2021. Ai ka një karrierë të gjatë në diplomaci, në Shërbimin Informativ të Shtetit (SHISH), si dhe në administratë dhe sektorin privat. Mahila gjithashtu ka qenë konsull në Ambasadën e Shqipërisë në Athinë dhe ka mbuluar çështje të emigracionit, sigurisë dhe ligjore. Është diplomuar në drejtësi dhe ka kryer trajnime të specializuara në siguri kombëtare dhe menaxhim, përfshirë certifikime nga Harvard Business School.