AktualitetPolitikëTë fundit

“Dua t’i them shumicës dhe pakicës…”, Rama në Kuvend: Shqipëria Evropiane është busulla orientuese e çdo faqeje të programit tonë!

Kryeministri Edi Rama prezantoi sot në Kuvend programin qeverisës për 4 vitet e ardhshme.

Në fjalën e tij, Rama u shpreh se “ky mandat i ri është provimi ynë i madh i shtetit”.

Kreu i qeverisë theksoi se, “kohëzgjatja e këtij provimi përkon me kohëzgjatjen e planit ambicioz kombëtar për të ulur Shqipërinë në tryezën e familjes së bashkuar evropiane”.

“Programi ynë i ri qeverisës është fletorja e zgjidhjeve të provimit, por suksesi i këtij provimi historik do të varet i gjithi nga aftësitë e secilit dhe secilës dhe këmbëngulja jonë e përbashkët për t’i kaluar zgjidhjet nga letra e programit në realitetin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve”, tha Rama.

Kryeministri nënvizoi se, “Shqipëria 2030 në BE është kryefjala e këtij mandati”.

“Shqipëria Evropiane është busulla orientuese e çdo faqeje të programit tonë dhe metronomi i ritmit të çdo reforme që do të ndërmarrim”, tha Rama.

“I nderuar Kuvend i Shqipërisë. Të nderuar miq dhe të ftuar. Më lejoni në fillim që si folësi i parë i kësaj legjislature të re, në këtë pjesë vendimtare të kësaj rruge të Shqipërisë europiane, më lini t’i përcjell urimin tim kryetarit të ri të Kuvendit, Niko Peleshi. Urime dhe suksese. Unë nuk jam këtu sot për të krijuar një formalitet votëbesimi të një shumice të jashtëzakonshme në këtë sallë.

Dua t’i them shumicës që jo vetëm një mandat, por vite të tëra politike nuk mund t’ia shpërblejmë besimin të shqiptarëve që na dhanë këtë herë. Mbi 50% e votuesve në favorin tonë, është një borxh që duhet ta marrim përsipër çdo ditë, jo me fjalë, por me një qasje të re vetëkritike, me durim, me vullnet, përkushtim dhe energji të reja në çdo hap drejt këtij mandati të ri.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com