AktualitetNATO/BEPolitikëTë fundit

Rutte: Shqipëria ka mbështetjen e NATO-s

Kryeministri Edi Rama u takua sot në Bruksel me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Takimi u mbajt në selinë e Aleancës së Atlantikut të Veriut në Bruksel.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Rutte vlerësoi rolin e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut.

“Është një nder i vërtetë të kem mikun tim të ngushtë Edi Ramën, Kryeministrin e Shqipërisë që na viziton”, nisi fjalën e tij Rutte.

“Shqipëria është një aleate e palëkundur dhe do të mbërrijë 2% e shpenzimeve ushtarake, që është një angazhimi madh. Shqipëria po zhvillon bazën e saj industriale, përfshi edhe përmes ndërmarrjeve të veta shtetërore, çka është e rëndësisshme, sepse na duhet një bazë më e fortë industriale në gjithë NATO-n”, shtoi ai.

Kreu i NATO-s nënvizoi se Shqipëria ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbështetje të Ukrainës.

“Ju po ndihmoni shumë me Ukrainën. Për shembull, përmes komandës në Wiesbaden, ku kemi një mision shqiptar, po kështu përmes trajnimit gjuhësor për partnerët në dyluftime, teknikët etj. Po bëni shumë për Ukrainën. Ju po merrni pjesë në forcat e Atlantikut të Veriut në Letoni, Bullgari, Kosovë, përmes KFOR-it. Vërtetë po bëni shumë më tepër përtej madhësisë suaj. Shqipëria nuk është aleati ynë më i madh, por Shqipëria po bën shumë. Dua t’ju falenderoj që jeni aleat kaq i patundur”, theksoi Rutte.

Rutte shtoi se Shqipëria do të ketë gjithmonë mbështetjen e NATO-s. “NATO mund të mbështetet tek Shqipëria dhe gjithmonë Shqipëria mund të mbështetet tek NATO”, përfundoi Rutte.

Rama ndodhet në Bruksel edhe në kuadër të Konferencës së gjashtë Ndërqeveritare Shqipëri-BE, ku dje u hapën edhe katër kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ky është takimi i tretë për këtë vit i kryeministrit Rama me kreun e NATO-s, Mark Rutte. Rama takoi në 24 qershor kreun e NATO-s në Bruskel, në samitin e nivelit të lartë të NATO-s. Në atë takim, Rama informoi se temë e bisedimeve, ndër të tjera, ishte edhe investimi madhor për Portin e Ri të Durrësit, ku NATO do të angazhohet për terminalin ushtarak.

Rama bëri të ditur se në takim u diskutua edhe mbi përgatitjet e Samitit të NATO-s në vitin 2027 në Tiranë.

Kryeministri Rama është takuar këtë vit me Rutten edhe në Tiranë, në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian të zhvilluar më 16 maj.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com