AktualitetPolitikëTë fundit

Drejtuesi i ri duhet të fillojë jo më vonë se 3 muaj para mbarimit të mandatit të Dumanit: KLP hap garën për kreun e ri të SPAK

Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi sot shpalljen e vendit vakant për Drejtues të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Prokurorët do të kenë mundësi të aplikojnë për këtë post me rëndësi deri më 8 tetor të këtij viti.

Procedura për drejtuesin e ri të SPAK nisi 3 muaj para mbarimit të mandatit aktual. Altin Dumanit i mbaron mandati në 18 dhjetor 2025.

Në mbledhjen e sotme, relatori Sokol Stojani u shpreh se, “Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme zgjidhet nga radhët e Prokurorëve të kësaj prokurorie me shumicën e anëtarëve të KLP-së për 3 vjet, pa të drejtë rizgjedhje sipas ligjit”.

Stojani theksoi se, “parashikohet që procedura për zgjedhjen e drejtuesit të ri duhet të fillojë jo më vonë se 3 muaj para mbarimit të mandatit të kryetarit”.

“Për këtë arsye lind nevoja e shpalljes së vakancës dhe vijimin e procedurave të mëtejshëm për zgjedhjen e drejtuesit të prokurorisë së posaçme në kushtet kur mandati i drejtuesit aktual mbaron më datë 18 dhjetor 2025”, tha ai.

Sipas tij, kandidatët duhet të paraqesin një platformë, e cila duhet të përmbajë dhe dokumentacionin e nevojshëm ku të provohet eksperienca e punës.

Në mbledhje u dakordësua që kandidatët, nga radhët e SPAK, kanë afat tri javë për aplikimin, pra deri në datën 8 tetor.

“Afati për dorëzimin e aplikimeve është deri më datë 8 tetor 2025. Vendimi hyn në fuqi menjëherë. Shpallet në Tiranë, sot, më datë 17 shtator 2025. Me 11 vota pro, asnjë kundër miratohet”, tha kryetarja e KLP.

Altin Dumani është drejtuesi i dytë i Prokurorisë së Posaçme që u zgjodh pas përfundimit të mandatit të Arben Krajës, i cili ishte i pari pas krijimit të SPAK. Pas lënies së këtij posti ai do të ushtrojë detyrën si prokuror i posaçëm i kësaj strukture deri në përfundim të mandatit 9-vjeçar.

Arben Kraja u zgjodh si drejtuesi i parë i SPAK në dhjetor të vitit 2019, ndërsa Altin Dumani në dhjetor 2022.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com