Rubin kthehet në bankën e dëshmitarëve: Organet e OKB-së shpesh nuk e përshkruanin mirë situatën në Kosovë
Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, vazhdon dëshminë e mbrojtjes për ish-eprorët e UÇK-së në Hagë. Transmetimi i vazhdimit të dëshmisë së ish-zyrtarit të lartë amerikan, James Rubin, para Dhomave të Specializuara në Hagë, ka nisur pesë minuta para orës 10.
Ish-zyrtari i lartë amerikan, u pyet në Gjykatën Speciale nëse ishte në dijeni për një raport të vitit 1998 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), ku flitej për gjoja rrëmbimin e civilëve serbë, shqiptarë dhe romë, dhe të oficerëve të policisë serbe, nga njerëz që besohej se i përkisnin UÇK-së.
“Kam lexuar një raport të OKB-së për Kosovën, por kam qenë shumë skeptik për atë raport”, është shprehur Rubin.
“Sepse, organet e OKB-së nuk e kanë përshkruar shumë mirë situatën shumë shpesh”, ka thënë ai.
“Pra, kam qenë në dijeni të raportimit prej OKB-së, por jo domosdoshmërisht ka qenë i besueshëm raporti”, ka shtuar Rubin.
Ai ka thënë se raportet e Kryqit të Kuq i konsideronte më të besueshme.
Më herët, Rubin pohoi se mund të jetë në dijeni të raporteve nga Departamenti amerikan i Shtetit, të cilat shkruanin se UÇK-ja ishte përgjegjëse për vrasje, ndalime, rrëmbime edhe të civilve shqiptarë.
Prokurori e pyeti për disa artikuj specifikë në gazetat e asaj kohe për vrasje dhe arrestime të disa individëve.
Megjithëse ai shtoi se nuk i kujtohen raste specifike që janë shkruar në raprote apo në mediat ndërkombëtare pas më shumë se 20 vjetësh.
I pyetur nëse kishte dëgjuar të thuhej se UÇK-ja po kryente krime, gjatë kohës që Rubin po përcillte konfliktin në Kosovë, ai tha se nëse do të kishte dëgjuar, do t’i mësonte, por shtoi se “disa gjëra u shfaqën pas luftës”.
Rubin: Fillimisht e përshkruam UÇK-në si terroriste
Gjatë dëshmisë së tij, James Rubin tha se përshtypja fillestare e SHBA-së për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ishte më ndryshe.
“Ndoshta ne shkelëm dëshirën tonë që të ishim në anën e engjujve gjithmonë. Ne fillimisht e përshkruanim si organizatë me aktivitete terroriste, dhe ne, sigurisht, me gjithë dëshirën që kishim të ishim në anën e engjëjve, nuk donim të mbështesnim njerëz që zhvillonin aktivitete terroriste”, tha Rubin.
“Ky qëndrim ndryshoi, sidomos pasi UÇK-ja u pajtua me Marrëveshjen e Rambujesë”, u shpreh ai.
Rubin përsëriti përgjigjen e djeshme se ka pasur shumë pretendime e akuza, për krime lufte nga pjesëtarë të UÇK-së, por se SHBA-ja nuk arriti t’i vërtetonte ato.
Rubin: Nuk më kujtohet nëse Krasniqi e Veseli ishin pjesë e delegacionit në Rambuje
Në ditën e dytë të dëshmisë së tij në Gjykatën Speciale, James Rubin iu përgjigj pyetjeve të Prokurorisë në lidhje me një dokument ku thuhej se Adem Demaçi përshkruante Hashim Thaçin si zëdhënës të UÇK-së.
Rubin tha se nuk kishte informacione për këto dallime të vogla brenda UÇK-së.
I pyetur nëse kishte takuar Jakup Krasniqin në kohën e luftës, Rubin tha se nuk mendoj që po, teksa shtoi se nuk i kujtohet nëse Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli ishin pjesë e delegacionit shqiptar në Rambuje.
“Nuk më kujtohen të gjithë emrat, sepse kjo ka ndodhur para 25 vjetësh”, tha Rubin.
Kujtojmë se më 15 shtator, Rubin tha se ish-udhëheqësi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, nuk kishte autoritet të plotë mbi UÇK-në – për vendimet ushtarake ai duhej të merrte udhëzime nga komandantët.
Aktakuza ndaj Thaçit dhe bashkëpunëtorëve të tij, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, përfshin burgosje të paligjshme, torturë, vrasje dhe persekutim – akuza që ata i kanë mohuar
Dëshmia e Rubinit pritet të përfundojë sot./REL
Fraksion.com

