AktualitetPolitikëTë fundit

Hasani: Nder të shërbeja përgjatë një periudhe historike dhe transformuese për Shqipërinë

Në përfundim të mandatit të tij si ministër për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, tashmë deputet i Partisë Socialiste i dalë nga zgjedhjet e 11 majit, vlerësoi periudhën e shërbimit të tij si një etapë “historike dhe transformuese” për vendin.

Ai veçoi ndër arritjet kryesore hapjen e 28 prej 33 kapitujve negociues me Bashkimin Europian, mikpritjen e Samitit të Komunitetit Politik Europian në Tiranë, si dhe zhvillime të tjera që, sipas tij, kanë forcuar ndjeshëm rolin e Shqipërisë në Europë dhe në arenën ndërkombëtare.

“Mandati im si ministër për Europën dhe Punët e Jashtme përfundon sot. Ka qenë një nder të shërbej përgjatë një periudhe historike dhe transformuese për Shqipërinë, të shënuar nga përfundimi i mandatit tonë të parë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, hapja e 28 prej 33 kapitujve negociues me BE-në , mikpritja e Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, si dhe arritje të tjera që forcuan rolin tonë në Evropë dhe në botë, mes sfidave të thella për kontinentin tonë dhe më gjerë”, deklaroi Hasani.

Hasani theksoi se me të njëjtin mision, por nga një këndvështrim i ri, do të drejtojë Komisionin Parlamentar për Europën dhe Punët e Jashtme.

“Jam thellësisht mirënjohës ndaj stafit të përkushtuar të MEPJ dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë për bashkëpunimin e ngushtë. Pres me kënaqësi rolin tim të ri si Kryetar i Komisionit Parlamentar për Evropën dhe Punët e Jashtme, me të njëjtin mision, por nga një këndvështrim i ri”, u shpreh Hasani.

Igli Hasani mbajti postin e ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme prej shtatorit 2023.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com