AktualitetLife StyleTë fundit

Grupi ikonik “Scorpions” bën bashkë breza dhe diasporën shqiptare: Dikur i dëgjonim fshehurazi, sot në zemër të Tiranës

Koncerti i grupit legjendar gjerman “Scorpions” në Tiranë mblodhi mijëra adhurues të muzikës rok. Banda ikonike që ka shkruar historinë e këtij zhanri në skenën botërore, solli për publikun shqiptar kryeveprat e saj më të njohura, duke ndezur atmosferën për disa orë me radhë.

Në sheshin “Skënderbej” u bashkuan breza, që nga të rinjtë tek të rriturit për të përjetuar nga afër magjinë e muzikës së “Scorpions”. Qindra qytetarë të tjerë, të cilët nuk arritën të siguronin një biletë, u mblodhën pranë perimetrit të rrethimit për ta ndjekur. Hyrja për qytetarët nisi që prej orës 17:00, ndërsa një pjesë e mirë e të pranishmëve priti mbi katër orë derisa grupi u ngjit në skenë.

Mes fansave të shumtë kishte edhe shumë shqiptarë nga diaspora të cilët për nostalgji zgjodhën të kalojnë fundjavën në Tiranë dhe të përjetojnë nga afër performancën e një prej grupeve të tyre më të dashura.

Vetë fakti që koncerti u mbajt në sheshin “Skënderbej”, aty ku dikur ngrihej busti i diktatorit Enver Hoxha, u lexua si një dëshmi e fuqishme e transformimit epokal që ka përjetuar Shqipëria, nga një vend i izoluar drejt një realiteti të lirë, ku muzika është pjesë e pandarë e jetës kulturore dhe sot më afër se kurrë me familjen e madhe evropiane.

Një prej pjesëmarrësve që ndau emocionet e tij ishte Torad Tërshana, i cili bashkë me familjen emigroi në Itali në vitin 1993. Për të, mbrëmja e 14 shtatorit ishte një rikthim në adoleshencë, kur dëgjonte fshehurazi tingujt e rokut.

“Unë nisa të dëgjoj rok që në vitin 1975, por gjithmonë në fshehtësi. Ishim shumë pak të privilegjuar që kultivonim këtë pasion. Në fillim ishin magnetofonët me bobina, të mëdhenj sa një mikrovalë. Shumë pak familje i kishin. Si bir artisti pata fatin të kisha një të tillë në shtëpi. Megjithatë, shpesh ma fshihnin që të mos shpërqendrohesha nga mësimet, por unë e gjeja sërish dhe me disa shokë dëgjonim në mënyrë diskrete muzikën rok”, tregon Tërshana, i cili është djali i Ëngjëll Tërshanës, ish-balerin i parë dhe më pas baletmaestër pranë TKOB.

Ai kujton se shijet e tij muzikore u formësuan edhe falë miqve të të atit, kompozitorët e njohur Ferdinand Deda dhe Agim Krajka. “Ata më sollën fillimisht në shtëpi bobina me këtë muzikë. Aty nisa të adhuroja këtë rrymë muzikore. Në atë kohë në Tiranë ishin disa komunitete të vogla që përmes muzikës arratiseshin nga zymtësia e diktaturës. Disa dëgjonin muzikë italiane, disa rok të lehtë, të tjerë heavy metal apo death metal. Ne e njihnim njëri-tjetrin. ‘Scorpions’ ishte grupi që i bashkoi në njëfarë mënyre të gjitha këto komunitete”, shprehet ai.

Tërshana risjell në kujtesë edhe kohën kur kasetat apo bobinat muzikore konsideroheshin pasuri të rralla. “Ai që kishte bobina me muzikë shihej si i privilegjuar. Ato kalonin dorë më dorë dhe caktonim orare fikse për t’i rikthyer. Më pas, me ardhjen e kasetave me shirit, u bë më e lehtë për t’i kopjuar dhe ai ekskluzivitet filloi të zbehej”, shton ai.

Teksa vështronte adoleshentët që këndonin “Wind of Change”, një nga këngët më ikonike të grupit, Tërshana theksoi: “Kjo është mrekullia e muzikës – thyen dimensionin kohë. Në atë periudhë, kjo muzikë ishte rebelimi i heshtur ndaj diktaturës, një fluturim drejt një bote më të lirë”.

Mbrëmja kulmoi me hitet e paharrueshme si “Wind of Change” dhe “Still Loving You”, ku qindra duar u ngritën në ajër dhe mijëra zëra u bashkuan në një kor të madh. Klaus Meine, Rudolf Schenker, Matthias Jabs, Mikkey Dee dhe Paweł Mąciwoda dhuruan një performancë që do të mbetet gjatë në kujtesën e publikut shqiptar.

Koncerti u mbyll mes ovacioneve të gjata dhe një entuziazmi të pakrahasueshëm, duke u shënuar si një festë e madhe e rokut në zemër të Tiranës, Kryeqytetit Mesdhetar të Kulturës dhe Dialogut.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com