Nafta ruse, Trump: Nëse NATO bën siç them unë, lufta do të përfundojë shpejt dhe të gjitha ato jetë do të shpëtohen!
Presidenti amerikan Donald Trump u ka nisur një letër të gjitha vendeve anëtare të NATO-s për çështjen e luftës në Ukrainë.
Në një koment në rrjetin social Truth ai shkruan se është i gatshëm të vendosë sanksione të mëdha ndaj Rusisë kur të gjitha vendet e NATO-s të bien dakord dhe të fillojnë të bëjnë të njëjtën gjë, dhe kur të gjithë anëtarët e NATO-s të ndalin blerjen e naftës ruse.
Sipas Trump, blerja e naftës nga Rusia dobëson shumë pozicionin dhe fuqinë negociuese të vendeve të NATO-s mbi Rusinë.
“Nëse NATO bën siç them unë, lufta do të përfundojë shpejt dhe të gjitha ato jetë do të shpëtohen! Nëse jo, thjesht po më humbni kohën, energjinë dhe paratë e Shteteve të Bashkuara”, shkruan Trump.
Kjo deklaratë vjen vetëm një ditë pasi NATO-ja nisi një operacion të ri ushtarak, të quajtur Roja Lindore, që tha se është e dizajnuar për të forcuar mbrojtjen e krahut lindor të aleancës në përgjigje të inkursionit rus me dronë në hapësirën ajrore polake më herët gjatë kësaj jave.
Presidenti amerikan po ashtu shtoi se është i gatshëm të vendosë sanksione “të mëdha” ndaj naftës ruse nëse shtetet e NATO-s e bëjnë të njëjtën gjë.
Turqia është blerësja e tretë më e madhe në botë e naftës ruse, ndërkaq Hungaria dhe Sllovakia vazhdojnë të blejnë naftë ruse, kryesisht përmes naftësjellësit Druzhba, në bazë të një përjashtimi të bërë nga Bashkimi Evropian.
Ndryshe, operacioni i ri i NATO-s, Roja Lindore përfshin dislokimin e pajisjeve ushtarake nga disa aleatë të NATO-s për të penguar agresionin e mëtejmë rusë dhe për të rritur mbrojtjen kolektive përgjatë kufirit lindor.
“Çelësi për këtë është një dizajn krejtësisht i ri mbrojtjeje”, tha gjenerali amerikan Alexus Grynkewich, komandanti suprem i NATO-s për Evropën, në një konferencë të përbashkët për shtyp me shefin e NATO-s, Mark Rutte, në Bruksel më 12 shtator.
Grynkewich tha se pajisjet e reja do të përfshijnë avionët luftarakë francezë Rafale, F-16 danezë, një fregatë dhe sisteme tokësore të mbrojtjes që më parë ishin zotuar se do të dërgoheshin në rajon.
Ai u tha gazetarëve se aleanca ushtarake do të mbrojë çdo centimetër të territorit të saj.
Fraksion.com

