Betohen 138 deputetë të rinj të Kuvendit, dy heqin dorë nga mandati
Pas miratimit të mandateve të fituara dhe listës emërore të deputetëve për secilën parti politike nga Komisioni i Përkohshëm i Verifikimit të Mandateve, 138 deputetë të Legjislaturës XI të dalë nga zgjedhjet e 11 majit u betuan sot në Kuvend.
Ndërsa dy deputetë të zgjedhur më 11 maj, Tom Doshi dhe Sabina Jorgo, nga Partia Socialdemokrate, kanë paraqitur ditën e sotme pranë Komisionit shkresën për heqjen dorë nga mandati.
Deputetja Milva Ekonomi, përfaqësuese e Komisionit të Përkohshëm të Verifikimit të Mandateve, informoi se Kuvendi brenda 30 ditësh do të njoftojë KQZ-në për vakancën e krijuar pas kërkesës për dorëheqje të dy deputetëve.
Në seancën parlamentare të orës 17:00, deputeti socialist i qarkut të Vlorës, Vasil Llajo, lexoi formulën e betimit të deputetit, ndërsa të gjithë deputetët u përgjigjën: “Betohem!”.
“Betohem me nderin tim se do të kryej me ndërgjegje detyrën si deputet i popullit në Kuvend, do të përfaqësoj denjësisht popullin, do t’i bindem Kushtetutës dhe ligjeve, do të mbroj lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë, do të respektoj dhe do të mbroj të drejtat dhe liritë e shtetasve dhe do të punoj me të gjitha fuqitë e mia për përparimin e atdheut dhe mirëqenien e popullit tim”, u betuan deputetët.
Në këtë legjislaturë të re, 83 mandate do t’i ketë Partia Socialiste, 50 mandate koalicioni “Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, 3 mandate Partia Socialdemokrate, 2 mandate Partia Mundësia, 1 mandat “Shqipëria Bëhet” dhe 1 mandat Lëvizja Bashkë.
Nga 140 deputetë që ka Kuvendi i Shqipërisë, 72 prej tyre ulen për herë të parë në karrigen e parlamentit.
Të zgjedhurit vijnë nga profesione të ndryshme: 32 nga drejtësia, 31 nga ekonomia dhe të tjerë u përkasin fushave si mjekësia, shkencat natyrore, sociale, politike, po ashtu edhe nga inxhinieria, arti e sipërmarrja. 25 deputetë mbajnë gradën “Doktor i shkencave” dhe 5 deputetë mbajnë titullin “Profesor”.
Kuvendi po vijon punimet me votimin e kandidaturës së Niko Peleshit, deputet i Partisë Socialiste, për Kryetar të Kuvendit.
Fraksion.com

