Manastirliu kandidate për Kryetare Bashkie, reagon Anuela Ristani: Mirënjohje dhe falenderim për Tiranën e Veliajn
Kryetarja e Komanduar të Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani, ka reaguar pasi kryeministri Edi Rama shpalli sot Ogerta Manastirliun kandidate për kreun e Bashkisë së Tiranës.
Nëpërmjet një deklarate, Ristani thotë se detyra e saj si Kryetare e Deleguar erdhi në periudhën më të vështirë dhe më të pazakontë për Bashkinë e Tiranës dhe për qytetin.
“Transformimi i madh që Tirana ka përjetuar është fryt i vizionit dhe i punës së përbashkët të një skuadre të përkushtuar. Për këtë përvojë si qytetare dhe bashkëpunëtore do të jem gjithmonë mirënjohëse ndaj Kryetarit Erion Veliaj. Qyteti ynë është rritur. Është sot më modern, më i gjallë, me më shumë shërbime, më social, me më shumë investime në infrastrukturë, arsim, kulturë e sport, me më shumë hapësira publike e gjelbërim. Dhe ky është një rrugëtim që vazhdon”, shprehet Ristani.
Deklaratë e Kryetares së Komanduar të Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani:
Në këto muaj, sfidat kanë qenë kryefjala. Ndaj dua të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për çdo koleg, çdo qytetar që ka kontribuar, dhe veçanërisht për Kryeministrin z. Edi Rama, për përkujdesjen dhe mbështetjen e vazhdueshme edhe në momentet më delikate.
Shërbimi ndaj Tiranës ka qenë privilegji më i madh i jetës sime. Deri në ditën e fundit do të mbetem në detyrë me të njëjtin përkushtim si në ditën e parë.
E bindur në fitoren e Partisë Socialiste për Tiranën i uroj Ogertës suksese në këtë rrugëtim!
Fraksion.com

