Debati për ndarjen e rrugës së përbashkët të Ukrainës dhe Moldavisë drejt BE-së
Kjo verë ka qenë e mbushur me thashetheme dhe aluzione nga zyrtarë të Brukselit se Ukraina dhe Moldavia mund t’i ndajnë rrugët e tyre përkatëse drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Të dyja vendet e Evropës Lindore u çiftuan qëkurse aplikuan për anëtarësim në BE, pasi Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në fillim të vitit 2022.
Ato e morën statusin e vendeve kandidate njëkohësisht në verën e atij viti, dhe në fund të vitit 2023 shtetet anëtare të BE-së treguan se të dyja mund t’i nisin negociatat e anëtarësimit.
Por, këto negociata nuk kanë nisur kurrë me asnjërën prej tyre – kryekëput për shkak se Hungaria e bllokoi të gjithë procesit, sepse Budapesti ankohet për, siç thotë, diskriminim të pakicës hungareze në Ukrainë.
Derisa shumica e vendeve të tjera anëtare e hodhën poshtë këtë votim si thjesht një shfaqje tjetër politike të Budapestit, pak kush beson se vendi është i gatshëm ta heqë veton për të nisur negociatat së shpejti.
Dhe, disa mendojnë se kjo është e padrejtë për Moldavinë, pasi asnjë nga 27 vendet e BE-së nuk e kundërshton fillimin e bisedimeve me Kishinjevin.
Komisionarja për zgjerim e BE-së, Marta Kos, foli për idenë e ndarjes formale kur dha një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL) këtë pranverë. Ideja e saj dukej se mori hov gjatë verës kur Brukseli u trondit përkohësisht nga lëvizja e papritur e presidentit Volodymyr Zelensky në korrik për të kufizuar pavarësinë e dy agjencive të rëndësishme kundër korrupsionit.
E vërteta është se ndarje të tilla politike kanë ndodhur edhe më parë, së fundi vitin e kaluar, kur Shqipërisë iu lejua të ecte përpara me negociatat e anëtarësimit, ndërsa Bullgaria vazhdoi të vendoste veto ndaj të njëjtave hapa për fqinjën e saj, Maqedoninë e Veriut.
Arsyet për ta refuzuar ndarjen
Ka tri arsye për këtë: Mosdorëzimi para asaj që shumë shtete e shohin si shantazh të Hungarisë, ndjesia se një veprim i tillë do të ishte strategjikisht i pafavorshëm si për BE-në ashtu edhe për Ukrainën tani, dhe fakti që do të kishte ndikim të kufizuar për Moldavinë gjithsesi.
Në çështjen e parë, zhgënjimi po rritet se Budapesti po përpiqet t’i diktojë shumë nga politika e BE-së ndaj Ukrainës.
Dhe, është e drejtë të thuhet se Hungaria po ia del ta bëjë këtë.
Mendimi këtu është se, në vend që t’i jepet Hungarisë një fitore tjetër, mbase do të ishte më zgjuarsi të pritej deri në zgjedhjet parlamentare në Hungari, në prill të vitit 2026, sepse sondazhet tregojnë se opozita ka shanse reale për ta marrë pushtetin.
Kjo nuk do të thotë se politika e Hungarisë karshi Ukrainës pëson ndryshim të plotë menjëherë, por pak zyrtarë të BE-së mendojnë se ndërsa Ukraina po humbet kohë të çmuar, disa muaj të tjerë pritjeje janë të parëndësishëm në një proces më të madh që mund të zgjasë me vite ose ndoshta dekada.
Lituania përgatiti një dokument diskutimi, të cilin e ka parë REL-i, ku argumenton se BE-26, që do të thotë i gjithë blloku përveç Hungarisë, duhet të zhvillojë negociata joformale me Ukrainën dhe Moldavinë në ndërkohë, dhe se negociatat për shumicën e 33 kapitujve të anëtarësimit do të hapeshin “në mënyrë të përshpejtuar kur të rikthehet mbështetja e BE-27”.
Vendimtare ishte që Franca dhe Gjermania, dy vende të rëndësishme në BE, u bashkuan kundër çdo ndarjeje tani, sidomos pasi Shtetet e Bashkuara kanë sinjalizuar se anëtarësimi i Ukrainës në NATO me shumë gjasa nuk do të jetë në tavolinë të bisedimeve të mundshme për paqe me Rusinë.
Prandaj, anëtarësimi në BE për Kievin bëhet edhe më i rëndësishëm, sipas shumicës së diplomatëve të BE-së që e shohin këtë si garancinë më të qartë të sigurisë dhe politike që kombet evropiane mund t’ia ofrojnë një vendi të shkatërruar nga lufta.
Moldavia kundër ndarjes, tani për tani
Më në fund, ka pasur gjithashtu sinjale nga Moldavia se as Kishinjevi nuk është shumë i interesuar për ndarje, të paktën tani.
Shumë zyrtarë evropianë kishin dashur t’i jepnin një shtysë Qeverisë pro-BE të vendit, para asaj që pritet të jetë një garë e ngushtë në zgjedhjet parlamentare më 28 shtator, duke hapur negociatat e anëtarësimit disa ditë ose javë para votimit.
Megjithatë, të tjerë, në kryeqytetet e BE-së dhe në Kishinjev, argumentuan se kjo do të kishte rezultat të kufizuar për dy arsye.
Siç tha një diplomat i BE-së: “Njerëzit duan të dinë kur vendi i tyre mund të anëtarësohet dhe çfarë do të thotë kjo për ta, e jo kur disa diplomatë të panjohur takohen”.
Së dyti, ekziston një qëndrim mes të gjitha vendeve kandidate për në BE, por sidomos Moldavisë, se është Ukraina dhe përpjekjet e saj për ta zmbrapsur pushtimin rus që ka ringjallur procesin e zgjerimit të BE-së në përgjithësi.
Në fakt, Kishinjevi u përfshi në valën e Ukrainës kur aplikoi për anëtarësim në BE në vitin 2022.
Për momentin, ato do të mbeten të lidhura, por nuk duhet përjashtuar mundësia që debati për ndarje e tyre të rihapet më vonë gjatë vitit./REL
Fraksion.com

