AktualitetTë fundit

58-vjeçari nga Maliqi humbi jetën në QSUT, familjarët: Nuk ishte aksident, por vrasje

Një 58-vjeçar nga fshati Rëmbec i Maliqit ka ndërruar jetë ditën e djeshme në QSUT, pas 15 ditësh në gjendje kome. Viktima, Jorgo Ajredini, u dërgua më 13 gusht nga familjarët në spitalin e Korçës me plagë në kokë dhe, për shkak të gjendjes së rëndë, u transferua menjëherë në Tiranë.

Fillimisht, policia e Korçës e referoi ngjarjen si aksidentale, duke dyshuar se 58-vjeçari ishte goditur nga kali. Por familjarët hedhin poshtë këtë version dhe ngulin këmbë se kemi të bëjmë me një ngjarje kriminale. Ata thonë se Ajredini u gjet pranë fushës së sportit të fshatit, i hedhur në një kanal, me plagë të shumta në kokë,në ballë, pas veshëve dhe në nofull.

Edhe vëllai tjetër, Ilia Ajredini, pretendon se dëmtimet e shumta nuk përkojnë me një goditje kali, por me plagë të shkaktuara nga mjete të forta. Ai kujton gjithashtu një konflikt të vjetër të viktimës me një banor të fshatit, për motive familjare.

 

Në të njëjtën linjë është edhe dëshmia e dajës së viktimës, Kostaq Kosturi, i cili pohon se mjeku në QSUT përjashtoi mundësinë e një aksidenti me kafshë, duke theksuar se plagët ishin shkaktuar nga goditje me sende të forta. Pas vdekjes së 58-vjeçarit, policia dhe prokuroria e Korçës kanë rihapur hetimet.

 

Hetuesit janë në pritje të raportit përfundimtar mjeko-ligjor, i cili pritet të përcaktojë nëse bëhet fjalë për një aksident tragjik apo një ngjarje kriminale.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com