AktualitetPolitikëTë fundit

Ambasadori Ferizi: Pretendimet e Farage për emigrantët shqiptarë plotësisht të rreme

Ambasadori i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, Uran Ferizi është takuar me liderin populist, Nigel Farage për t’i thënë atij se udhëheqësi i partisë ”Reform UK” po përsëriste informacione të rreme duke pretenduar se një në 50 shqiptarë në BM ishte në burg, shkruan Ben Quinn për ”Guardian”.

“Kjo është plotësisht e rreme, megjithatë po përsëritet në lajmet e Britanisë së Madhe edhe nga politikanët”, tha ambasadori Uran Ferizi, i cili po merr pjesë në konferencën e ”Reform UK”.

“Është keqinterpretim i statistikave zyrtare të cilat merren dhe përdoren për të dalë me pretendime të ndryshme që nuk kanë asnjë ngjashmëri me realitetin”, theksoi ai.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tashmë është grindur me Farage në rrjetet sociale  në lidhje me përdorimin e shifrës nga udhëheqësi i ”Reform UK”.

Të dhënat nga ambasada e Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar kanë kundërshtuar raportet se numri i shqiptarëve në BM është 53 000, që u përdor si burim për pretendimin një në 50.

Ferizi tha se ”i thashë se ishte thellësisht e padrejtë të përhapte këto gënjeshtra. Ato thjesht nuk janë të vërteta. Perceptimi im ishte se ai ishte i hapur kur e dëgjoi këtë dhe e kuptoi këtë”.

”Gjithashtu, unë argumentova se shqiptarët ishin një shembull shumë i mirë i njerëzve që integrohen mirë në BM. Ata punojnë shumë, mësojnë gjuhën, zakonet dhe rregullat e vendit. I thashë se ishte thellësisht e padrejtë për një vend që krenohet me drejtësinë dhe ai e vlerësoi këtë”, shtoi Ferizi.

Ndërkohë, sipas ”Telegraph”, pas disa javësh, Nigel Farage tha se do të hajë një drekë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama për të folur rreth deportimit të kriminelëve të huaj dhe se një qeveri e ”Reform UK” në Mbretërinë e Bashkuar do t’i ndalojë anijet brenda dy javësh.

Farage tha se ”ne do t’i deportojmë kriminelët e huaj”.

”Do të shkoj të ha një drekë, pas disa javësh, me kryeministrin e Shqipërisë. Mund të rezervoj një aeroplan shumë të madh dhe të marr një ngarkesë me vete, nuk jam i sigurt ende”, tha Farage.

”Ne do ta ndalojmë atë që është një kërcënim për sigurinë tonë kombëtare, atë që është një rrezik për vajzat dhe gratë në rrugët tona. Ne do t’i ndalojmë anijet dhe do t’i ndalojmë dhe deportojmë ata që hyjnë ilegalisht në vendin tonë, duke bërë atë që bën pothuajse çdo vend normal në pjesën tjetër të botës. Nuk mund të vini këtu ilegalisht dhe të qëndroni – ne do t’i ndalojmë anijet brenda dy javësh nga marrja e qeverisë”, theksoi Farage.


Fraksion.com

 

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com