Hapet Qukës-Qafë Plloçë: 10 vite pas përfundimit të punimeve, rruga Tiranë-Korçë vetëm 1 orë e 30 minuta
Rruga e re Qukës–Qafë Plloçë, një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore të Shqipërisë, ka përfunduar dhe është tashmë e aksesueshme për automjetet.
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku publikoi sot në rrjetet sociale, pamje nga ky aks i ri rrugor, duke theksuar se në rrugën Qukës – Qafë Plloçë është gati gjithçka.
Me një gjatësi totale prej 43.4 kilometrash, rruga Qukës – Qafë Plloçë është një nga investimet strategjike në infrastrukturë me ndikim për zhvillimin ekonomik dhe turistik të zonave lindore të vendit.
Rruga do të shërbejë si një lidhje e rëndësishme për komunitetet lokale, duke përmirësuar qasjen dhe duke shkurtuar ndjeshëm kohën e udhëtimit.
Për shkak të terrenit të vështirë kjo vepër infrastrukturore përfshiu ndërtimin e një numri të madh muresh mbajtëse, mbi 20 ura, 2 tunele të ndërtuara me gjatësi 850 m dhe 350 m, së bashku me tunelin e emergjencës.
Projekti për ndërtimin e rrugës Qukës-Qafë Plloçë u nda në tre lote dhe me përfundimin e plotë mundësohet ndërlidhja e domosdoshme për komunitetet që banojnë në afërsi të këtij aksi. Ky aks rrugor krijon një perspektivë e re për zhvillimin e zonës së Mokrës dhe rajoneve përreth, duke krijuar kushte të reja për zhvillimin e bujqësisë, turizmit dhe ekonomisë lokale.
Një nga përfitimet kryesore të këtij aksi është shkurtimi me rreth 45 minuta i kohës së udhëtimit në aksin kombëtar Tiranë-Korçë, çka e bën këtë rrugë të rëndësishme jo vetëm për qarkullimin lokal, por edhe për qytetarët dhe turistët që udhëtojnë drejt juglindjes së Shqipërisë.
Rruga është gjithashtu panoramike, duke ofruar pamje të bukura natyrore që e bëjnë atë një atraksion më vete për turistët.
Ky investim përmbyll një kapitull të rëndësishëm në infrastrukturën rrugore të vendit dhe hap rrugën për më shumë projekte që synojnë rritjen e aksesit dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë.
Fraksion.com

