AktualitetTë fundit

“Internacional Medicare Hospital” nuk deklaroi 1 mln euro fitime, përdorte produkte të ndaluara – në pranga administratori e shpallen në kërkim 2 aksionerët. Bllokohet spitali privat

Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin “Bilanci”, ku është arrestuar administratori i spitalit privat ish-“Sante Plus Albania”, Edmond Zaja, dhe janë shpallur në kërkim dy aksionerët e këtij subjekti, Bilal Kara dhe Geriana Arapi.

Hetimet disamujore zbuluan se subjekti i cili ka ndryshuar emrirn në Internacional Medicare Hospital, kishte fshehur fitime mbi 1 milion euro dhe përdorte produkte të ndaluara për shërbimet shëndetësore. Gjithashtu, u konstatua se ishin punësuar persona pa siguruar dhe se po kryhej evazion fiskal.

Gjatë operacionit, u sekuestruan 100 blloqe mandatesh të pafiskalizuar dhe 27 lloje medikamentesh të dyshuara të kontrabanduara. Policia po punon për kapjen e të dyshuarve të shpallur në kërkim dhe vijon hetimet për këtë rast të rëndë kriminal.

 

Njoftimi i policisë:

Tiranë/Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, operacioni policor i koduar “Bilanci”.

Nga hetimet dhe kontrollet rezultoi se:

-subjekti nuk kishte deklaruar fitime me vlerë mbi 1 000 000 euro, gjatë periudhës 2024-2025;

-shërbimet spitalore në këtë subjekt kryheshin me produkte të ndaluara për përdorim;

-në këtë subjekt punonin shtetas të pasiguruar.

Bllokohet subjekti.

Arrestohet administratori i spitalit privat.

Shpallen në kërkim 2 bashkaksionerët.

Sekuestrohen 100 blloqe me mandate të pafiskalizuara, 27 lloje medikamentesh të dyshuara të skaduara dhe 6 njësi kompjuterike.

Gjatë operacionit “Bilanci”, shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare arrestuan administratorin e spitalit, shtetasin E. Z., 62 vjeç, si dhe shpallën në kërkim bashkaksionerët e subjektit, shtetasin turk B. K., 45 vjeç dhe shtetasen shqiptare G. A., 32 vjeçe.

Gjatë periudhës hetimore disamujore, në koordinim me Prokurorinë e Tiranës, si dhe nga kontrollet në subjekt, u konstatua se nëpërmjet lëshimit të faturave të pafiskalizuara, ishte kryer evazion fiskal me vlerë mbi 1 000 000 euro. Gjithashtu, në spital përdoreshin medikamente të dyshuara të kontrabanduara, të ndaluara për përdorim, nga autoritetet kompetente, si dhe ishin punësuar pa u siguruar, 5 shtetas.

Punohet për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe për provimin e plotë të këtyre veprimtarive kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com