Gazeta belge “Le Soir”: Si u godit “mbretëria” e klanit Çopja
Pasuritë u shtuan shpejt, duke u dhënë mundësi të nënshtronin banditë shqiptarë dhe të zgjeroheshin në gjithë kontinentin. Belgjika dhe Holanda ishin epiqendra e aktivitetit falë porteve strategjike të Roterdamit dhe Anversës, përmes të cilëve tonë të tëra kokaine mbërrinin nga Amerika Latine, të fshehura në sapunë, bojë të bardhë ose materiale ndërtimi. Metodat ishin klasike: korruptim punëtorësh, infiltrime natën nëpër mol, kompani të rreme import-eksporti.
Në vitet 2010, pavarësisht milionave të përfituara, kokaina nuk mjaftonte më. Konkurrenca filloi t’u merrte treg, ndaj Çopjat hynë në pastrimin e parave dhe trafikun e armëve, duke u kthyer në ndërmjetës për grupe të tjera kriminale. Ata investuan në pasuri të paluajtshme në Tiranë e Elbasan – apartamente, ndërtesa, bare, restorante, kompani ndërtimi – me qëllim të dyfishtë: pastrimin e parave dhe krijimin e një imazhi si investitorë të mëdhenj në sytë e qytetarëve dhe autoriteteve.
Në luftën për influencë, ata shpërndanin ryshfete të majme tek zyrat e këmbimit dhe farmacitë, të cilat më pas propagandonin imazhin e tyre. Raporte të mëvonshme policore i akuzuan për korrupsion edhe me figura të njohura politike e ekonomike.
Ndërkohë, Franc Çopja zhvendosi selinë e mafies në Dubai, ku ndërtoi një vilë gjigante në Dubai Hills, një lagje luksoze. Vlera e shtëpisë nuk dihet saktësisht, por në zonë një e tillë kushton mes 1.5 dhe 7.8 milionë euro. Sipas një gazetareje shqiptare, klani kishte investuar gjithsej 200 milionë euro në Dubai.
Zhvendosja e tyre ndezi rivalët. Banda shqiptare Alibej, me degëzim deri në Molenbeek të Brukselit, nisi të sfidonte territorin e Çopjave. Konflikti shpërtheu pas zhdukjes së një ngarkese të madhe kokaine në brigjet britanike, për të cilën Çopjat akuzuan Ardit Spahiun, kreun e Alibejve. Ky e mohoi, por përplasja degjeneroi në përleshje të armatosura dhe më pas në vrasje të përgjakshme.
Më 1 korrik 2019 u vra Klevi Baho, anëtar i Alibejve. Në dhjetor të po atij viti, viktimë ra edhe 26-vjeçari Andi Zylyfi. Në total, klani lidhet me të paktën nëntë vrasje me pagesë, përfshirë ekzekutimin e vetë Ardit Spahiut, më 27 nëntor 2020, në mes të Molenbeekut. Një atentat brutal dhe i rrallë për Belgjikën, autorët e të cilit më pas u kapën në Spanjë dhe Gjermani.
Këto vrasje e bënë klanin objektivin kryesor të autoriteteve ndërkombëtare. Në vitin 2021, mbyllja e SkyECC u dha hetuesve prova të reja. Në vitin 2023, policia e Dubait arrestoi Franc Çopjan – tashmë me identitetin Franc Gergely – dhe e ekstradoi në Belgjikë me avion privat, “për arsye sigurie”. Vitin pasues, edhe vëllai i tij Hajdar u arrestua në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Për momentin, asnjë vendim gjykate nuk ka dalë ende. Franc Çopja, i burgosur në Belgjikë, është i akuzuar për vrasje, privim lirie, fshehje trupi, kërcënime, posedim të paligjshëm eksplozivësh e municionesh dhe pengim të drejtësisë – akuza që mund t’i sjellin 21 vjet burg.
Megjithatë, vala e fundit e arrestimeve të koordinuara nga Europol tingëllon si fundi i kësaj organizate mafioze… një vend të cilin, me gjasë, të tjerë janë gati ta zënë.
Fraksion.com

