Rama: Plan masash për të ndaluar abuzimet me ujin, heqim depozitat
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se njësoj si me energjinë, do të ndërhyhet me një plan masash për të ndaluar abuzimet me ujin.
Kryeministri Rama dhe zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ishin sot të pranishëm në prezantimin e krijimit të Operatorit të Ujit.
Rama u shpreh në fjalën e tij se, “sot kemi 9 shoqëri rajonale, nga 15, që nuk krijojnë më detyrime ndaj OSHEE-së. Është një hap i jashtëzakonshëm, pa diskutim”.
Patjetër që ka përmirësim të eficiencës, theksoi Rama, por, shtoi ai, “ka një pikë ku duhet të ndalemi dhe ku është thelbi i reformës. Uji në qiell është diçka tjetër dhe në rubinet është diçka tjetër. Sepse në momentin kur hyn në sistem kthehet nga një prodhim i natyrës në një prodhim i njeriut. Është mall që grumbullohet, që shpërndahet, që shitet dhe që blihet. Dhe është një mall jetik. Dhe prodhimi i ujit kërkon operim kombëtar”.
Kështu që, shtoi Rama, “për këtë arsye nisim këtë fazë të dytë të reformës”.
“Nga faza e parë e reformës janë lidhur në rrjet 100 mijë përdorues të rinj dhe janë prerë një numër i konsiderueshëm lidhjesh të paligjshme”, tha kreu i qeverisë.
Por, shtoi ai, “sa i përket reformës jemi shumë të qartë se çfarë do të bëjmë nga prodhimi, tek shpërndarja, furnizimi, njësoj siç bëjmë me energjinë. E njëjta gjë komplet. Ama, nga ana tjetër, njësoj siç kemi bërë me energjinë do të ndërhyjmë me një plan masash për të ndaluar abuzimet”.
“Ndryshe nga energjia këtu nuk jemi në kushtet që kemi qytetarët në shumicën e tyre dërrmuese që abuzojnë, këtu jemi në kushtet që kemi abuzues në radhë të parë për qëllime fitimi. Kemi abuzues me lavazhe nëpër lagje, kemi abuzues me ujë që derdhet rrugëve kombëtare në pika të ndryshme, po ta shikoni vazhdimisht. Kemi abuzues me lidhje të paligjshme nën tokë që do të jenë target i planit të masave. Në mënyrë që shumica dërrmuese e qytetarëve që nuk abuzojnë dhe që paguajnë ujin të marrin shërbim të drejtë”, tha Rama.
Dhe patjetër, shtoi ai, “që kjo është dhe koha për të filluar punën hap pas hapi me planin e heqjes së depozitave, që janë kthyer në pesha të jashtëzakonshme mbi pallate të ndërtuara ku e ku më parë dhe që, larg qoftë, mund të bëhen dhe burim katastrofash. Por, hap pas hapi, natyrisht, dhe duke u shpjeguar njerëzve që heqja e depozitave përmirëson furnizimin”.
Fraksion.com

