Rëndohet bilanci i aksidentit në aksin Fier–Vlorë, ndërron jetë pasagjeri i plagosur rëndë
Ka ndërruar jetë pas mesnate edhe pasagjeri i kamionçinës që u përfshi në aksidentin e rëndë të ndodhur të hënën në autostradën Levan–Vlorë, duke e çuar në dy numrin e viktimave.
Viktima e dytë është Artan Muho, i cili u dërgua në gjendje të rëndë në spitalin e Vlorës pas aksidentit, por nuk arriti t’i mbijetojë plagëve të marra.
Ndërkohë, në vendin e ngjarjes humbi jetën menjëherë drejtuesi i kamionçinës, Ferdinant Hasani.
Kujtojmë se aksidenti i rëndë ndodhi ditën e djeshme rreth orës 14:25 të së hënës. Kamionçina doli nga rruga dhe u përplas me barrierat mbrojtëse, duke përfunduar në anë të saj.
Humbi jetën në vend drejtuesi i kamionçinës, një 62-vjeçar, pas përplasjes së fortë me barrierat anësore të rrugës. Zjarrfikësit ndërhynë për nxjerrjen e trupit nga kabina e dëmtuar rëndë.
Automjeti tjetër i përfshirë në aksident, një mjet tip “Dacia”, drejtohej nga një 28-vjeçare me shtetësi italiane, e cila, sipas burimeve paraprake, po lëvizte me shpejtësi të lartë në momentin e ngjarjes.
Grupi hetimor vijon punën për të sqaruar plotësisht rrethanat e aksidentit. Ende nuk është dhënë një konkluzion përfundimtar mbi shkaktarin e ngjarjes, ndërsa pritet akt-ekspertimi teknik dhe dëshmitë e palëve të mbijetuara.
Ndërkohë, Prokuroria ka nisur procedurat hetimore për zbardhjen e plotë të rastit dhe për të përcaktuar nëse do të ketë ndjekje penale ndaj drejtueses së automjetit “Dacia”.
Fraksion.com

