Rama: Qeveria e re do krijojë Fondin e Gjelbër, për çdo karrige në hapësirën publike do të kontribuohet me një pemë
Teksa në të gjithë vendin vazhdon puna për lirimin e hapësirave publike kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “për çdo karrige në hapësirën e kufizuar do të duhet të kontribuohet me një pemë në Fondin e Gjelbër, që do të krijojë qeveria e re”.
Në një postim në rrjetet sociale Rama ndau pamje nga puna e përditshme që po bëhet për lirimin e hapësirave publike të zëna padrejtësisht nga bizneset.
“Atyre që shqetësohen për karriget u them bëni durim, shpejt u vjen radha së bashku me kushtet e reja për vendosje karrigesh jashtë, por si fillim mund të them se për çdo karrige në hapësirën e kufizuar publike, do të duhet të kontribuohet me një pemë në Fondin e Gjelbër që do të krijojë qeveria e re”, tha Rama.
Lirimi i hapësirave publike është i domosdoshëm për rritjen e cilësisë së shërbimeve, por edhe funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.
Në këtë kuadër, kryeministri Rama ka paralajmëruar se po hartohet edhe Rregullorja Kombëtare në të cilën do të përcaktohen me ligj hapësirat që mund të shfrytëzojë biznesi.
Puna ka nisur në fillim të muajit korrik dhe do të vijojë të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror në mbrojtje të cilësisë së jetës në komunitet dhe vjen në kuadër të programit “Rilindja Urbane 2.0”.
Frakaion.com

