AktualitetTë fundit

Ndezi zjarr për djegien e mbetjeve, arrestohet 44 vjeçari në Shkodër

Një 44-vjeçar është arrestuar në Shkodër pasi shkaktoi ndotje të mjedisit me zjarrin që ndezi për djegien e mbetjeve në subjektin që menaxhon.

Në vijim të veprimeve hetimore për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër arrestuan në flagrancë shtetasin G. Gj., 44 vjeç, banues në Shkodër.

Ky shtetas dyshohet se ka ndezur zjarr mbrëmjen e djeshme, rreth orës 20:30, për djegien e mbetjeve në subjektin që menaxhon, në lagjen “Bahçallëk”, dhe si pasojë është shkaktuar ndotje e mjedisit në zonën përreth.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprat penale “Menaxhimi i mbetjeve”, “Ndotja e ajrit”, “Ndotja e ujërave” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër apelon për qytetarët, për kujdes maksimal në çdo veprim që mund të rrezikojë mjedisin, jetën e qytetarëve apo pronën publike dhe private, pasi do të përballen me ligjin.

Gjithashtu, policia i fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast zjarrvënieje apo paligjshmërie, në numrin 112, duke garantuar anonimatin dhe reagim të menjëhershëm.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com