AktualitetBota+Të fundit

Qindra të vdekur pas tërmetit në Afganistan

Mbi 800 njerëz humbën jetën dhe rreth 3.000 u plagosën nga një tërmet që goditi Afganistanin lindor, njoftuan autoritetet të hënën.

Zëdhënësi i Qeverisë talibane, Zabiullah Mujahid, tha se rajoni më i prekur është provinca Kunar.

Ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet për të mbijetuar mes rrënojave.

Sipas raportimeve të para, vetëm në një fshat janë gjetur 30 viktima, por shifrat e sakta nuk janë mbledhur ende, pasi bëhet fjalë për një zonë të thellë malore me fshatra të shpërndarë.

“Numri i viktimave dhe i të plagosurve është i lartë, por për shkak se zona është e vështirë për t’u arritur, ekipet tona janë ende në terren”, tha zëdhënësi i Ministrisë talibane të Shëndetësisë, Sharafat Zaman.

Sipas raporteve, tre fshatra u shkatërruan plotësisht në provincën Kunar, ndërsa shumë të tjerë pësuan dëme të konsiderueshme.

Tërmeti me magnitudë 6 ra në mesnatë, në një thellësi prej 8 kilometrash, duke shkatërruar shtëpitë prej balte dhe guri në kufi me rajonin Khiber Paktunkva të Pakistanit, bënë të ditur zyrtarët.

Një tërmet tjetër, me magnitudë 4.5, goditi rajonin rreth 20 minuta më vonë, i ndjekur nga një tjetër lëkundje me magnitudë 5.2, sipas Qendrës gjermane të Kërkimeve për Gjeoshkenca (GFZ).

Qeveria afgane, e udhëhequr nga talibanët, bëri thirrje për ndihmë urgjente nga organizatat ndërkombëtare.

Në një postim në X, ajo tha se tërmeti ka shkaktuar “humbje jetësh dhe dëme materiale në disa provinca lindore”.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com