Gripi i rëndë do të vijë nga Australia, paralajmërimi i Bratajt: Do shtohen rastet, ja dy llojet e viruseve që do qarkullojnë
Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj në kanalin e tij në Youtube është shprehur se gjatë këtij viti pritet që të ketë një numër të shtuar të rasteve me grip.
Në fillim të mesazhit të publikuar ai shprehet se Australia po përjeton një nga sezonet gripale më të rënda të dekadës së fundit, me rritje të konsiderueshme të rasteve (+70%), shtrimeve në spital (+50%), teksa shërbimet e urgjencës janë dyfishuar.
Deklarata e plotë e Bratajt:
“Një mesazh të shkurtër, por shumë të rëndësishëm çfarë na pret vjeshtë-dimrin e ardhshëm. Zakonisht ne bazohemi gjithmonë në hemisferën e jugut, në të cilën në këtë moment është periudha e dimrit dhe numri i lartë i infektimeve nga gripi është në shifra shumë të larta në krahasim me vitin e kaluar.
Çfarë pritet të vijë në Shqipëri dhe në Europë në vjeshtë dimër. Pritet të qarkullojë si zakonisht, si çdo vit, virusi qarkullon tani në hemisferën e jugut, pra në Australi dhe në këtë moment aty po qarkullojnë 2 nëntipe të gripit.
Gripi i tipit AH1N1 dhe gripi i tipit BI nënllojit B viktoria. Fashat më në rrezik janë të moshuarit, gratë shtatzëna, fëmijët dhe personat me sëmundje bashkëshoqëruese, pavarësisht moshës së tyre.
Çfarë duhet të bëjmë? Si çdo vit bëhet vaksinimi me vaksinën e gripit, e cila parandalon në mënyrë shumë të madhe infektimin.
Duke parë këto shifra të hemisferës së jugut, pritet që në Shqipëri dhe në Europë intensiteti këtë vit i gripit të jetë shumë më i lartë sesa ai i vitit të kaluar.
Prandaj vaksinimi është i domosdoshëm”, shprehet Brataj.
Fraksion.com

