AktualitetLife StyleTë fundit

Gianni Morandi pushime në Dhërmi: Do të rikthehem sërish

Ikona e muzikës dhe artit italian, Gianni Morandi ka zgjedhur plazhin e Dhërmiut për të kaluar disa ditë pushimesh në jug të Shqipërisë.

Sot, kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo zhvilloi një takim me artistin italian, ku shprehu vlerësimin për bisedën miqësore me këngëtarin, i cili me muzikën e tij, ka bërë epokë dhe ka kultivuar edhe shijen muzikore të disa brezave shqiptarësh.

Tavo tha se “edhe pse është fundi i gushtit, plazhi është i mbushur plot, në Himarë dhe Dhërmi ku vijnë për pushime mijëra italianë. Sot kemi kënaqësinë që të kemi në Dhërmi për pushime legjendën Gianni Morandi, i cii ka ardhur para disa ditësh këtu, po pushon dhe është shumë i kënaqur me kushtet që ofron Shqipëria, Himara dhe Dhërmiu”.

Nga ana e tij, artisti Morandi tha se mes shqiptarëve dhe italianëve ka një lidhje të fortë.

“Ka një lidhje muzikore, pasi janë shumë të pasionuar pas muzikës që kanë dëgjuar në vitet 60’, 70’ dhe 80’. Shumë miq të mitë italianë vijnë këtu. Një mik shumë i mirë i imi, inxhinier në Bolonja më tha: shko për pushime në Shqipëri sepse është një vend shumë i bukur”, u shpreh ai.

Artisti u shpreh i emocionuar, lidhur me faktin se në plazhin e Dhërmiut ka diçka të veçantë, ku mali dhe deti janë përballë njëri- tjetrit dhe kjo është diçka e mrekullueshme, sipas tij.

“E dëgjova mikun tim dhe ja ku jam, me bashkëshorten time dhe ajo shumë e lumtur. Besoj se do të rikthehem edhe herë të tjera, siç do rikthehen edhe shumë itaianë këtu”, përfundoi Morandi.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com