“Pa marrjen e përgjegjësisë për trajtimin e mbetjeve si detyrë kombëtare dhe për riciklimin e tyre deri në asgjësim, kapitulli i mjedisit në negociata është një rrugë pa dalje,” deklaroi Rama. Sipas tij, projektligji i ri për menaxhimin e integruar të mbetjeve do të harmonizojë legjislacionin shqiptar me atë europian, duke përcaktuar hierarkinë nga parandalimi deri te asgjësimi, si dhe krijimin e një fondi të ekonomisë së mbetjeve. Rama theksoi se, ndryshe nga modeli aktual, bashkitë nuk do të kenë më rol drejtues në menaxhimin e mbetjeve, por do të funksionojnë si klientë të operatorit të ri kombëtar. “Kjo ndërmarrje e re do të jetë në dispozicion të pushtetit vendor, por procesi i trajtimit do të përqendrohet në një strukturë të vetme kombëtare, në bashkëpunim me hallkat e tjera të qeverisjes,” tha ai.

Kryeministri shprehu keqardhje që edhe pse vërehen përmirësime në disa zona, si në Himarë, mungon ende ndërgjegjësimi i qytetarëve dhe përmirësimet në trajtimin real të mbetjeve. Rama e cilësoi mjedisin si “kapitullin më të vështirë dhe sfidues të negociatave për anëtarësim në BE”, duke kërkuar angazhim nga të gjitha nivelet e qeverisjes dhe administratës publike.

“Me Himarën dhe më tej gjërat kanë shkuar më mirë se vitin e kaluar, por nevojitet një ritëm më i lartë reformash ligjore dhe masash konkrete. Të gjithë, pa përjashtim, duhet të ndërgjegjësim se ky është aspekti më sfidues i anëtarësimit tonë në BE,” u shpreh Rama.

Projekti i ri parashikon krijimin e një tregu të centralizuar të shërbimeve të mbetjeve, ku bashkitë do të blejnë shërbimin nga operatori kombëtar. Kjo nënkupton ndryshim të modelit financiar të menaxhimit, si dhe ngritjen e një fondi të posaçëm për ekonominë e mbetjeve, që pritet të gjenerojë investime në riciklim dhe teknologji të trajtimit.