AktualitetBota+Të fundit

Merz nuk dëshiron të njohë një shtet të pavarur palestinez

Edhe pse më shumë se 140 shtete e kanë njohur tashmë Palestinën si shtet të pavarur, dhe atyre pritet t’u shtohen edhe Kanadaja, Franca, Britania e Madhe, Danimarka dhe Australia, Gjermania nuk e mbështet këtë.

Kanadaja, Franca, Britania e Madhe dhe Australia kanë deklaruar se do ta njohin një shtet të pavarur palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator. “Nëse kjo do të jetë në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ne nuk do ta ndjekim këtë hap” tha Merz.

Gjermania mbështet zgjidhjen me dy shtete

Nuk ekziston as “një komb në kuptimin e vërtetë”, as një territor kombëtar palestinez i njohur, as “një autoritet shtetëror që ofron një qeveri që njihet nga të gjithë”, e sqaroi më vonë kancelari qëndimin e tij në një takim të përbashkët me kryeministrin belg Bart De Wever në Berlin.

“Megjithatë qeveria izraelite nuk duhet ta bëjë të pamundur që një shtet i tillë të krijohet një ditë”, shtoi Merz. Zgjerimi i ngulimeve izraelite në Bregun Perëndimor, për shembull, “padyshim synon ta bëjë të pamundur formimin e shtetit në të ardhmen” – tha Merz duke shtuar se qëllimi i qeverisë gjermane mbetet një zgjidhje me dy shtete.

Spanja, Irlanda dhe Danimarka

Më shumë se 140 vende në mbarë botën e kanë njohur tashmë Palestinën si shtet të pavarur, përfshirë edhe disa shtete anëtare të BE-së si Spanja dhe Irlanda. Edhe kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, nuk e ka përjashtuar njohjen e një shteti palestinez. “Ne jemi pro,” u tha Frederiksen gazetarëve të martën (26.08.). Megjithatë duhet të sigurohet që ai do të jetë “një shtet demokratik”./DW

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com