AktualitetEkonomiTë fundit

Rritje me 23% e eksporteve të peshkut, 5 615 ton në gjashtë muaj

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, bëri të ditur se eksportet e peshkut të freskët shënuan një rritje prej 23% gjatë periudhës janar–qershor 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në 6-mujorin e parë të këtij viti u eksportuan 5 615 ton peshk i freskët, kundrejt  4 558 ton peshk që u eksportuan në të njëjtën periudhë vitin e kaluar.

Ministrja tha se, “kjo rritje reflekton përkushtimin e peshkatarëve shqiptarë për të sjellë në treg produkte cilësore MadeinAlbania, si dhe ndikimin pozitiv të politikave mbështetëse të ndërmarra nga qeveria”.

Sipas saj, masat përfshijnë naftën pa taksa, rinovimin e flotës së peshkimit, si dhe investimet në motorë dhe pajisje frigoriferike, të cilat garantojnë freskinë dhe cilësinë e produkteve peshkore dhe rrisin konkurrueshmërinë në tregjet ndërkombëtare.

Ministrja Denaj theksoi gjithashtu objektivin për të arritur 30 mijë ton produkte peshkore deri në vitin 2030.

“Për të mbështetur këtë zhvillim, përmes Skemës Kombëtare të Investimeve 2025, e cila ka aplikimet e hapura deri më 30 shtator, ofrohet: 50% grant për akuakulturën, rrjetat dhe koshat e rritjes së peshkut; Kredi e butë me interes 2%; Garanci sovrane deri në 70% të kolateralit”, u shpreh Denaj.

Këto masa synojnë modernizimin dhe zgjerimin e sektorit të peshkimit dhe akuakulturës në Shqipëri.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com