Zhduket ish-zv/drejtori i AKSHI-t, Daniel Shima
Zhduket ish-zv/drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare dhe Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Daniel Shima.
Kanë qenë familjarët e tij që kanë denoncuar në polici humbjen e të afërmit që prej mesditës.
Më saktësisht, ka qenë e ëma që ka shkuar në komisariatin numër 1 të kryeqytetit për të kallëzuar zhdukjen e djalit.
Përpara se të humbte kontaktet, Shima është shprehur se po e arrestonin në Tiranë. Ka qenë e dashura e tij, ajo që ka dëshmuar një gjë të tillë në polici.
“Më tha se po e shoqëronin në polici”, është shprehur ajo.
Megjithatë deri më tani nuk dihet asnjë informacion për vendndodhjen e ish-zv/drejtorit të AKSHI-t. Policia ka nisur kërkimet për gjetjen e tij.
Çfarë ndodhi?
Ajo ka bërë me dije përmes telefonatës se Daniel Shima i ka dërguar një mesazh në celular ku i thoshte se është arrestuar dhe po shoqërohet nga policia. Ky mesazh e ka alarmuar duke bërë që t’i drejtohet policisë në numrin e vendosur në dispozicion.
Më pas kallëzimin e ka deponuar në komisariatin numër 1. E dashura e Shimës, sipas gazetarit, është ndërkohë në komisariat duke dhënë dëshminë e saj mbi rrethanat dhe përmbajtjen e mesazhit që i ka mbërritur në telefon.
Sa i takon të dhënave, me rëndësi për hetuesit është fakti që mesazhi ka ardhur nga zona e Qytetit Studentit.
“Deri në këto momente, denoncimi është në fazën e verifikimit, përsa kohë procedura merr një afat 24 orë nga momenti i shpalljes si person i zhdukur për 34-vjeçarin”, raportoi gazetari.
Policia vijon hetimet dhe mbetet për t’u parë cila do të jetë dinamika e hetimit, për të kuptuar se çfarë ka ndodhur.
Fraksion.com

